Xhaferraj në tregun industrial të Durrësit: Tregtarët kërkojnë që qeveria mos t’u bëhet një kosto më shumë
Kreu i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferraj ka zhvilluar sot një vizitë në tregun industrial të qytetit bregdetar.
Xhaferraj bën të ditur se gjatë takimit me tregtarët është njohur me problemet e tyre që pothuajse janë të njëjta.
“Neglizhenca e Bashkisë dhe politikat aspak sociale të Qeverisë i kanë bërë durrsakët të duan të largohen një orë e më parë nga qyteti i tyre. Pagat e luftës, të pamjaftueshme për të përmbushur qoftë edhe detyrimet e përmuajshme si qiratë për hapësirën në treg dhe sigurimet shoqërore, u duken si një leukoplast mbi një plagë plumbi: aspak zgjidhje apo lehtësim i mirëfilltë”, shkruan Xhaferraj në një postim në rrjetet sociale.
Deklarata e plotë:
Vizitë në tregun industrial të qytetit në lagjien 17.
Në treg janë rreth 500 tregtarë të cilët prej vitesh, me djersë e sakrifica, kanë ngritur bizneset e tyre tek të cilat bazohet ekonomia e tyre familjare, e tashmja dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre.
Pavarsisht se bizneset janë të ndryshme, gjatë aktivitetit të përditshëm me takime me qytetarë e biznese, problemet janë të njejta: neglizhenca e Bashkisë dhe politikat aspak sociale të Qeverisë i kanë bërë durrsakët të duan të largohen një orë e më parë nga qyteti i tyre. Pagat e luftës, të pamjaftueshme për të përmbushur qoftë edhe detyrimet e përmuajshme si qeratë për hapësirën në treg dhe sigurimet shoqërore, u duken si një leukoplast mbi një plagë plumbi: aspak zgjidhje apo lehtësim i mirëfilltë.
Ndërkohë që e gjithë ekonomia e vendit është në recesion dhe konsumi ka rënë ndjeshëm, tregtarët kërkojnë që Qeveria mos t’u bëhet një kosto më shumë. Fatkeqësisht realiteti është se kontakti i vetëm i tyre me Bashkinë e Qeverinë është përmes gjobave. Vetëm para pak ditësh, shumë prej bizneseve u përmbytën sic ndodh sa herë bien 20 minuta shi në qytet dhe për kostot shtesë si pasojë e infrastrukturës korruptive nuk mban përgjegjësi askush. Ndonëse të rrënuar nga efektet e tërmetit dhe të pandemisë, asnjë qera nuk u është ulur tregtarëve të ndershëm të tregut industrial të cilët njëzëri më thonin: “Mezi presim 25 Prillin të shporrim këtë qeveri mbytëse”.