Xhelal Mziu me ndërlidhësit e komunitetit të Paskuqanit: Zbatoni ligjin

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, takoi 20 ndërlidhësit me komunitetin të zonës së Paskuqanit. Në qendër të këtij takimi ishin detyrat që kanë ndërlidhësit dhe roli i tyre si një nyje lidhëse e rëndësishme mes qytetarëve dhe Bashkisë.  Kryebashkiaku Xhelal Mziu pohoi se pavarësisht nga disa pengesa nga prefektura apo instanca të tjera, më në fund u arrit që të realizohej ky takim, pas miratimit edhe nga ana e Këshillit Bashkiak për të pasur 20 ndërlidhës në Paskuqan.
Sipas z.Mziu,  funksioni i ndërlidhësve është i rëndësishëm, si nyje lidhëse e rëndësishme e komunitetit me Bashkinë, sidomos tani që Bashkia Kamëz është edhe më e madhe. Kreu i Bashkisë Kamëz në këtë takim tha se Paskuqani ka më shumë informalitet si dhe ka nevojë për investime.
“Ne po fokusohemi për të krijuar një balancë investimesh mes Kamzës dhe Paskuqanit, që është një zonë prioritare e mandatit tim të tretë. 2/3 e investimeve do të jenë në Paskuqan. Kjo shihet edhe te buxheti i miratuar për këtë vit, ku pjesën më të madhe e zë kjo zonë, me 75% të investimeve të të gjithë Bashkisë. Në këtë mënyrë ne i përmbahemi platformës dhe premtimeve elektorale”, – deklaroi z. Mziu. Më tej ai shtoi se burimet e financimit, në fakt, janë më shumë në Kamëz, rreth 80% e të ardhurave, të cilat vijnë nga bizneset në Kamëz, por 75% e tyre do të financojnë investimet në Paskuqan.
Investimet në Paskuqan/Duke folur për investimet, z. Mziu tha se investimi themelor në Paskuqan është rehabilitimi i rrugës kryesore, rruga “Demokracia”,  një investim me vlerë rreth 2.5 miliardë lekë. Do të behet edhe projekti i rikualifikimit të qendër të Babrrusë kushton rreth 1.4 miliardë. Sipas z. Mziu, ndikimi i këtyre investimeve do të jetë i madh, jo vetëm për banorët e zonave ku do të realizohen ato, por edhe për qytetarë të njësive të tjera vendore, duke filluar nga Tirana etj. Përveç investimeve të mësipërme, janë edhe një sërë projektesh të tjera që do të zbatohen këtë vit në Paskuqan, të cilat janë shumë të nevojshme për banorët e atyre zonave. Kështu, mund të përmendim: ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në dhjetëra rrugë, ndërtimi i disa rrugëve në këtë zonë, rikonstruksioni i disa shkollave, rrethimi i varrezave publike, riparimi i urës në Fushë-Kërçik, rehabilitimi i lumit të Tiranës, lirimi i hapësirave publike etj. “Po punojmë edhe në fusha të tjera, siç është lirimi i hapësirave publike, sistemi i adresave, ku ka 250 rrugë të emërtuara, por në total janë 510 rrugë që duhet të emërtohen dhe të futen në një sistem bashkëkohor adresash, siç ka ndodhur edhe në qytetin e Kamzës. Gjithashtu, duhet bërë edhe kodifikimi i banesave. Gjithë këto ndërhyje bëhen për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve ka bërë me dije z. Mziu.
Lufta ndaj informalitetit/“Duhet të jemi të patolerueshëm ndaj informalitetit. Të ardhurat që vijnë nga vjelja e tarifave dhe taksave vendore përdoren për investime. Edhe në qoftë se grumbullohen të gjitha detyrimet  në njësinë administrative të Paskuqanit, sërish ato janë shumë pak në krahasim me vlerën e investimeve që do të realizohen këtë vit në Paskuqan. Këto të ardhura përdoren edhe për pastrimin e qytetit, për gjelbërimin e për shumë shërbime të tjera të Bashkisë.  Këto detyrime janë shumë pak, po t’i krahasosh me Bashkinë e Tiranës, ku aplikohen edhe taksa absurde, si ajo e arsimit, apo ku taksat e tjera janë shumë herë më të larta se në Bashkinë e Kamzës.
 Trajtimi i familjeve të Paskuqanit me ndihmë ekonomike/Një problem tjetër i rëndësishëm që u diskutua ishte edhe trajtimi i familjeve të Paskuqanit me ndihmë ekonomike. “Kjo qeveri, me ardhjen e saj në pushtet, hoqi mijëra familje nga skema e ndihmës ekonomike në Kamëz. Nga 6300 familje në vitin 2013, tani trajtohen 1800 familje në Kamëz. Ndërsa në Paskuqan nga 900 familje, tani trajtohen rreth 240 familje. Është një shifër shumë e vogël për Paskuqanin, duke ditur se në këtë zonë jetojnë 13 mijë familje. Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme puna e ndërlidhësve me komunitetin, pasi ata duhet të sensibilizojnë të gjitha familjet e Paskuqanit të aplikojnë për t’u trajtuar me ndihme ekonomike, – u shpreh kryetari i Bashkisë, z. Mziu.
Për ujësjellësin/Duke folur për ujësjellësin, kreu i Bashkisë tha se edhe pse gjysma e Paskuqanit dhe një pjesë e mirë e Kamzës administrohen nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, asnjë investim nuk është bërë nga UKT-ja në këto zona. Prandaj, sipas z. Mziu, duhet shfrytëzuar çdo hapësirë ligjore për të luftuar informalitetin, për të shmangur çdo pabarazi ndërmjet qytetarëve të Bashkisë Kamëz, për të zhdukur çdo humbje në rrjet, në mënyrë që të krijohet mundësia për të investuar në këtë shërbim jetik për qytetarët e Kamzës dhe të Paskuqanit.
Bëhuni  pjesë e rëndësishme e nismave të Bashkisë /Duke shprehur besimin ndërlidhësve se ata do të  bëhen pjesë e aksioneve dhe nismave të Bashkisë, si  për investimet, si për lirimin e hapësirave publike, për sistemin e adresave, për trajtimin e qytetarëve me ndihmë ekonomike etj, zoti Mziu  i vlerësoi ata  si njerëzit që realizojnë komunikimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë me qytetarët. “Duhet të jeni korrekt në zgjidhjen e problematikave të zonave tuaja. Duhet ta shfrytëzoni ligjin maksimalisht dhe çdo lloj mundësie që t’u vini në ndihmë qytetarëve, duke krijuar edhe një lidhje organike mes tyre dhe Bashkisë. Do ta keni derën e hapur te unë, te zëvendëskryetarët e Bashkisë dhe çdo person tjetër”, – e mbylli fjalën e tij z. Mziu.

SHKARKO APP