Xhixho: Bordet u shërbejnë klientëve të qeverisë. Ndërprisni pagesat e inceneratorëve

Nënkryetarja dhe deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, tha në seancën e sotme në Kuvend se qytetarët shqiptarë janë të vetëm në kulmin e krizës së çmimeve. Duke iu referuar Bankës Botërore, Xhixho tha se qeveria shqiptare është e fundit në rajon për ndihmën e akorduar për përballimin e çmimeve të rritura si pasojë e situatës në lindje të Europës.

”Maqedonia e Veriut është vendi që ka dhënë mbështetjen më të madhe në rajon për qytetarët e vet, 3.6% e PBB. Një pjesë e kësaj ndihme, 1.5 % e saj ishte në formën e përjashtimeve nga taksat. Një propozim të tillë, LSI e ka bërë që në nisje të kësaj krize. Heqja e taksës së qarkullimit dhe asaj të karbonit nuk u mor parasysh nga kjo maxhorancë, e cila forcën e kartonit e përdor edhe për të bllokuar nisma që mund të lehtësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë duke mos lejuar as debat në seancë”.

Xhixho theksoi se ndërsa qytetarët paguajnë për disa ushqime bazë të paktën dyfishin e asaj që paguanin pak muaj më parë, në arkën e shtetit të ardhurat e mbledhura nëpërmjet TVSH-së janë shtuar. Po ashtu Xhixho tha se Bordi i Transparencës nuk u shërben qytetarëve dhe ngritja e çmimit në 2580 lekë të vjetra për litër e konfirmoi këtë.

”Kujt i shërben ky bord? Sepse është e qartë se qytetarëve shqiptarë nuk u shërben. Fondi Monetar Ndërkombëtar e paralajmëroi këtë në raportin e tij më të fundit, pak ditë më parë. FMN rekomandoi zëvendësimin e Bordit të Transparencës me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara, me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së ҫmimeve. Ndërprisni pagesat e inceneratorëve, pronarët e të cilëve janë në arrati dhe në kërkim nga drejtësia dhe çoni lekët tek qytetarët që sot janë në mjerim”.

SHKARKO APP