Ylli Ndroqi organizon: Biznesi i huaj në Shqipëri, tryeza për thithjen e investimeve në vend
Pa ndihmën tuaj, të të gjithë aktorëve të pranishëm sot në këtë tryezë, do të jetë e vështirë që dëshira jonë të bëhet realitet. Ju ftoj të na sugjeroni hapa konkretë për mënyrën se si duhet t’i bindim partnerët e huaj të hyjnë në fusha me potencial të lartë ekonomiko-tregtar, sic është energjia, transporti, sektori bankar e shumë të tjera. ” u shpreh zoti Ndroqi.Ndroqi përçoi apelin që motive të ngushta politike të mos zbehin shpresën për investime serioze në Shqipëri.
“Më lejoni t’ju bëj një thirrje të sinqertë dhe të frymëzuar nga dëshira për ta parë Shqipërinë gjithnjë e më shumë një vend tërheqës për investime të huaja. Le të kontribuojmë të gjithë së bashku për një klimë sa më miqësore në mbarëvajtjen e bizneseve, pa lejuar që motive të ngushta politike të na zbehin shpresën se ky vend meriton praninë e emrave të rëndësishëm të investimeve me famë botërore të vijnë dhe të hapin vende pune për shqiptarët. Shqipëria është me rëndësishme se çdo parti politike, se çdo karrierë personale. Ndaj, le të vendosim interesat kombëtare në plan të parë. ”
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, këmbënguli në nevojën e disipilinës financiare, për krijimin e një terreni të sigurt për sipërmarësit e huaj që do hedhin paratë e tyre në Shqipëri.
“Unë ju përgëzoj për këtë inisiativë. E di që keni kohë që keni krijuar shoqatën dhe kjo është gjë shumë e mira, pasi keni mundësi kontakti me bizneset, pasi nxiten lidhje tepër të nevojshme për të bindur investitorë që të vijnë sa më shpejt në Shqipëri.
Fokusin e kemi vënë tek disiplina financiare në sektor, që të rrisi likuiditetin dhe të krijojmë mundësi për të paguar pjesën e kontributit të investimeve të huaja. Realisht në këtë drejtim po punojmë dhe këto masa të fundit që mund të duken të ashpra, por tepër të nevojshme, janë për fatin sepse pa stabilitet financiar të sektorit, investimet në energji janë premtime në letër dhe investimet nuk do të ndodhin kurrë dhe realisht kjo është situate”, u shpreh Gjiknuri.
Numri 1 i Ministrisë së Transporteve, risolli në vëmendje se Shqipëria ka bërë hapa përpara në fushën e Prokurimit Publik dhe apeloi për investime të huaja kryesisht në rrugë, hekurudha por edhe në linja ajrore, detare.
“Rrjeti i Konsujve të Nderit, mund të shumfishohet dhe të ketë impakte më të mëdha, në qoftë se në vendet që ju përfaqësoni, të organizoni gjëra të ngjashme me këtë takimin e sotëm, dhe të prezantoni mundësitë e biznesit dhe të ekonomisë shqiptare edhe në ato vende. Pra duke ju konsideruar si ambasada të dyta të shteteve që përfaqësoni, roli juaj është shumë i madh dhe si I tillë duhet respektuar deri në fund.
Mendoj se një sfidë të përbashkët e kemi, dhe kjo është sfida e imazhit. Llojet e ndryshme të transportit, qoftë ai rrugor, hekurrudhor, detar dhe atë ajror, ka mundësi konkrete për investime nga ana e atyre që janë të interesuar, grupeve financiare, kompanive të ndryshme të biznesit etj.
Nëpërmjet kontratave koncesionare, nëpërmjet formave të ndryshme të partneritetit publik dhe privat, janë segmente rrugore që ne dëshirojmë të investojmë”, theksoi Haxhinasto.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, i kërkoi qeverisë që të hartojë një paketë të qartë mbi sektorët ku mund të investohet nga të huajt në Shqipëri.
“Është një obligim i çdo qeverie që të ketë një platformë të qartë për t`ju ofruar investitorëve të huaj dhe vendas. Ne jemi të lumtur që sipërmarrësit e huaj kënaqen me investimet e tyre, është shumë e rëndësishme që ministrat të kuptojnë se kur kënaqet një investitor. Një investitor kënaqet kur mundëson kthimin e parave të investuara dhe ne duhet të mundësojmë që këto para të jenë të kthyeshme dhe çdo projekt të ketë fizibilitetin e duhur.”, tha Nikolin Jaka.
Ilir Zhilla, kreu i Unionit të Dhomave të Tregtisë, kërkoi nga qeveria që të bëjë pjesë të projekteve të saj, Konsujt e Nderit.
“Qeveria shqiptare duhet ti shfrytëzojë dhe duhet të komunikojë në mënyrë permanente dhe të përditëshme, duhet ti informojë, duhet ti pajisi me sa më shumë informacion, duhet ti bëjë pjesë të programeve dhe të projekteve, të saj, pasi në fund të fundit, sidomos në vendet që janë jashtë BE-së, një biznes e vetmja adresë që ka është Konsulli i Nderit të atij vendi”, u shpreh Zhilla.
I pranishëm në tryezë edhe ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri, Najeeb Al Bader, renditi propozimet konkrete për diplomacinë ekonomike në Shqipëri.
“Aktivizimi që ka për qëllim zhvillimin e negociatave dypalëshe dhe shumëpalëshe të marrëveshjeve tregëtare dhe të investimeve, krijimi i një sektori të veçantë të diplomacisë ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe krijimi i një grupi ekonomik në Ministrinë e Ekonomisë, grup këshillimues akademik, për të mbështetur modelin e ri ekonomik të Shqipërisë, dhe një nismë e realizuar mirë, siç është gjithashtu krijimi i departamentit ekonomik në Ministrinë e Punëve të jashtme të Kuvajtit, me qëllim aktivizimin e bashkëpunimit ekonomik me vende të ndryshme që deri më tani, ka rezultuar mjaft i frytshëm”, cilësoi Najeeb Al Bader.
Kjo ishte vetëm tryeza e parë, e një sërë të tillash, që Shoqata e Konsujve do të organizojë për të qenë një urë e fortë lidhese mes biznesit të huaj dhe potencialeve që ofron Shqipëria për investime.