Ylli Pata: Pse Europa i dha shu*lakë Athinës për Fredi Belerin?
Nga Ylli Pata
Isabel Santos, raportuesja e Parlamentit Europian për Shqipërinë, nuk është një politikane “tipike”. Domethënë që vjen nga një rrjet militance të grupeve të interesit të Partisë Socialiste të Portugalisë, pjesë e së cilës ajo është. Përpara se të zgjidhej deputete e Parlamentit të vendit të saj dhe Parlamentit Europian, zonja Santos ka qenë një diplomate. Madje edhe në pozicionet parlamentare dhe europarlamentare, ajo ka mbuluar gjithnjë çështje të marrëdhënieve me jashtë, pasi e tillë është specializuar.
Nga viti 2019, kur është zgjedhur në Parlamentin Europian dhe natyrisht pjesë e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë, Isabel Santos, është një nga zërat më autoritativë të çështjeve të marrëdhënieve të BE-së me jashtë. Nuk ka qenë asnjëherë e zhbilancuar, apo që të ketë mbajtur qëndrime kontraversiale. Ngase ka një profil profesional të një diplomate parlamentare.
Megjithatë, zonja Santos, sot në Tiranë ka bërë një deklaratë të fortë. Mund të quhet edhe “bombë” po të kesh parasysh protokollin deklarativ të zyrtarëve të Bashkimit Europian. Ajo e ka konsideruar manovrën e qeverisë së Greqisë për të bllokuar Shqipërinë, si një “rast unikal që nuk ndodh as në botë”. Pra jo vetëm në BE, por as në botë. Po pse ndodhi kjo?
Natyrisht jo vetëm që BE është një natyrë pushteti garantiste, që kurrë nuk dëgjon nga zyrtarët e saj qëndrime populiste apo të deformuara për arsye elektorale. BE është një superinstitucion aq i komplikuar sa ka krijuar edhe legjendën si dhe kundërshtinë se kemi të bëjmë me një “rrjetë merimange të së keqes”. Duke perifrazuar populistët dhe sovranistët që kanë përdorur e përdorin qëndrimin kundër BE si bazë të politikës së tyre në vendet anëtare të BE-së.
Por të gjithë këta populistë e sovranistë i kanë lëpirë pështymat e tyre kur janë gjetur në situata të rënda si kriza ekonomike greke apo Covid 19. Dy nga shembujt më emblematikë janë Syrisa greke dhe 5 Yjet në Itali. Të cilët e konceptuan fushatën e tyre zgjedhore kundër Brukselit dhe BE-së. Por Greqia e falimentuar financiarisht nga kriza e 2008-s shpëtoi vetëm nga ndihmat direkte financiare të Brukselit. Kurse Italia e 2020-s, ku ekonomia po vdiste nga bllokimi i pandemisë, u ringjall vetëm nga 200 miliardët që Ursula von der Leyen ja dha kryeministrit Giuseppe Conte. i cili ka vetëm një krenari politike të tij si politikan. Që i dha ekonomisë italiane një shiringë gjigande të mbushur me 200 miliard euro. Që e ringjalli ekonominë dhe biznesin në vend.
Kjo BE sot është një fuqi politike më shumë se më parë e po e tregon edhe lufta në Ukrainë, por në rastin e Shqipërisë është specifik. BE është administratorja dhe udhëheqësja e ONM-së(Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit) të drejtësisë shqiptare. Një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh më të mirët në botë, që sot financohen, drejtohen dhe udhëhiqen nga kupola e BE-së, përkatësisht Drejtoria e Zgjerimit të BE-së.
E cila është organ Kushtetutes i Republikës së Shqipërisë. Një zhvillim i bujshëm, i paprecedentë, të cilin e pranoi Shqipëria me 140 vota në Parlament. Pavarësisht se Berisha dhe Meta u tërhoqën nga thelbi i misionit të ONM që është vettingu, ONM, pra BE është realisht një institucion i Republikës së Shqipërisë. Ky është kyçi real i të gjithë këtij zhvillimi përse BE apo vendet e mëdha të Europës nuk e kanë pranuar retorikën greke. Sepse në realitet, madje në Kushtetutë, edhe pse Shqipëria nuk ëhstë në BE de jure, po de jure BE është brenda Republikës së Shqipërisë.
E kjo është një zgjedhje e dy palëve që nga 2016-a. Sot kemi madje një rekord të kësaj experience, që natyrisht kërkon një debat të hapur, porfesional e logjik, por jo sulm. Ndaj Isabel Santos ftoi opozitën dhe mbështetësit e saj mediatikë që të mos e sulmojnë drejtësië e re, por jo të mos e kritikojnë e gjykojnë veprimtarinë e saj. Ai akt i vitit 2016 që e futi BE si pjesë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, edhe sot ende nuk ka arritur të perceptohet tamam, por është realisht një nga zhvillimet më të rëndësishme të Shqipërisë. Në mos më i rëndësishmi. Ndaj edhe Edi Rama bën romuze me Bashkimin Europian, pasi e di mirë që nëse nuk është ai një aktor i barabartë në Bruksel, ky i fundit është aktor kushtetues i Shqipërisë…/Tema/