Yuri Kim porosi PS e PD në Shkodër: Nuk lejojmë tjetërsim vote
Shkodra ishte ndalesa e dytë e ambasadores Amerikane Yuri Kim në turin e takimeve me drejtuesit politikë të partive, dhe kandidatët kryesorë të tyre për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Por ndryshe nga Elbasani ku polikanët i thirri një nga një në takim, në kryeqendrën e veriut, diplomatja ua çoi porositë në seli.
Për rreth 40 minuta ambasadorja qëndroi në shtabin e demokratëve, ku u prit nga drejtuesi politik Helidon Bushati.
Mësohet se Ambasadores Amerikane i është shprehur me nota shqetësuese fenomeni i shit-blerjes së votës që ka nisur të jetë prezent që tani, kur ndodhemi 1 muaj larg datës së zgjedhjeve.
Po ashtu përfshirja e elementëve kriminalë si në fushatë ashtu edhe në ditën e zgjedhjeve, ka qënë një tjetër pikë ku ambasadores i është dhënë informacion, duke patur parasysh që Shkodra mbetet një qark i nxehtë.
Me apelin për një fushatë sa më paqësore dhe larg incidenteve, si dhe një proçes zgjedhor që përmbush standartet e kërkuara, ambasadorja ka lënë zyrën e kandidatit Bushati për tu zhvendosur në selinë rozë, ku takoi kryesuesen e listës Edona Bilali për rreth 20 minuta.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ndjekin të gjithë proçesin hap pas hapi dhe ne do të jemi në krah të qytetarëve që vota e tyre të mos tjetërsohet, mësohet të ketë qënë mesazhi i takimeve të KIM.
Por ndërsa porositë për partitë qëndruan brenda selive, mesazhin për qytetarët e Shkodrës, ambasadorja Amerikane përmes një kafeje në pedonalen e qytetit dhe një vizite në muzeun e Fotografisë Marubi.
Shkodra cilësohet një nga zonat e nxehta të zgjedhjeve të 25 prillit, pasi vec partive të mëdha, atje kërkojnë deputë edhe LSI, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit për të cilin KIM kërkoi të mos garojë dhe lëvizja e Jozefina Topallit.