Yuri Kim: Pres të punoj me partnerët tanë shqiptarë në qeveri, për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse për investitorët amerikanë

Për 5-vjetorin e Bankës Amerikane të Investimeve, ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim, në fjalën e saj, u shpreh se kjo bankë është shembulli më i mirë, se si investimi i SHBA mund të ketë sukses në Shqipëri. Ambasadorja tha se investimet mes SHBA dhe Shqipërisë, janë një priopritet për të.

Fjalimi i Ambasadores Yuri Kim në 5-Vjetorin e Bankës Amerikane të InvestimeveFaleminderit që më keni ftuar këtë mbrëmje. Është kënaqësi t’i bashkohem Ministres Denaj, Guvernatorit Sejko, Andi Balltës dhe të gjithë të ftuarve të nderuar të pranishëm sonte për të festuar pesë vjetorin e Bankës Amerikane të Investimeve.

Shumë prej jush e kanë dëgjuar ta kem thënë këtë më parë, përfshirë në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë javën e shkuar: rritja e tregtisë dhe e investimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është prioritet për mua.

ABI dhe NCH Capital janë disa prej shembujve më të mirë deri më sot se si investimi i SHBA mund të ketë sukses në Shqipëri.

Në fillim të mandatit tim si Ambasadore në Shqipëri, udhëtova për në Nju Jork, ku u takova me Gregory Katz dhe Sterling Thomas të NCH-së, për të mësuar mbi investimet e tyre në rajon, përfshirë bankën ABI. Shpresoj që përvoja e ABI-it deri më tani të nxisë NCH-në dhe kompani të tjera amerikane që të investojnë më shumë kapital në Shqipëri.

Përveç se është investitor i zgjuar, ABI ka vërtetuar se është një korporatë e përgjegjshme sociale. Si anëtar i Dhomës Amerikane të Tregtisë, ABI ka sponsorizuar shpesh aktivitete.

Gjatë pandemisë së COVID-19, ABI u ngrit në një nivel domethënës. Nën udhëheqjen e Andi Balltës, ABI dalloi nevojën kritike në vend për pajisje mjekësore për urgjencën. Në vend që thjesht të priste zgjidhje nga të tjerët, ABI u hodh në veprim. Falë kompanisë, sistemi spitalor ka respiratorë shtesë, kompanitë në vështirësi kanë qasje në kapital dhe njërëz në nevojë kanë marrë donacione të tjera. Është ky lloj i përgjegjësisë sociale korporative që më bën krenare të mbështes kompanitë dhe investimet nga Shtetet e Bashkuara.

Pres me kënaqësi të punoj me partnerët tanë shqiptarë në qeveri dhe me drejtues biznesi si ju për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse për investitorët amerikanë. Ne duam që marrëdhënia jonë ekonomike të ngrihet në të njëjtin nivel me lidhjen tonë të fortë politike. Nuk dyshoj që ABI do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë përpjekje.

Urime ABI-t për pesë vite të suksesshëm në Shqipëri!  Ju urojmë më shumë vite të tjera suksesi.

SHKARKO APP