Zamir Mati: Balonat, kjo kënaqësi në fushën e fluturimit

Intervistë me Zamir Mati, piktor i merituar dhe balonist.

Nga data 10-18 shtator 2016 u zhvillua feastivali ndërkombëtar i balonave ku morën pjesë 40 vende nga bota. Gjithashtu mori pjesë edhe grupi i balonistëve shqiptarë “Kites, Blu, Sky, Albania” prej 10 balonistësh i drejtuar nga piktori i merituar Zamir Mati. Për këtë takim ndërkombëtar ja se çfarë mendon piktori dhe balonisti i njohur Mati…

***

Çfarë është ky takim ndërkombëtar i balonave dhe si ju e keni njohur atë?

Nga viti 1988 marr pjesë në Festivalin ndërkombëtar të balonave në Dieppe të Normandisë, Francë. Kjo është e 15-ta herë. Ishin fillimi i viteve ’80 kur unë duke kujtuar ditët e fëmijërisë e veçanërisht lojën e balonave arrita të organizoj “Ditën e balonave ” në kryeqytet dhe pak më tej pothuaj në gjithë qytetet e Shqipërisë në një nga ditët e diela të muajit prill, këtij muaji të bukur të pranverës. Interesi për këtë lojë ishte i madh. Kështu edhe për mua duke parë  këtë zhvillim ndjeja që duhej të kisha një angazhim edhe më serioz. Atëherë fillova të kërkoj informacion jo vetëm për çfarë kishte në enciklopeditë për këtë lojë por edhe për të siguruar ndonjë libër, revistë a katalog. Në këto kërkime ndesha adresën e klubit të balonave në Francë dhe menjëherë u lidha me ta. Ata botonin një revistë. Letërkëmbimi midis nesh dhe interesimi i tyre solli kështu që në kopertinën e revistës dhe në faqet e sajë u botuan materiale të cilat informonin lexuesit për ç’ ka ndodhte për balonat në atë kohë në Shqipëri. Nga kjo revistë njoha edhe takimin ndërkombëtar të balonave i cili për nga pjesmarrja dhe bukuria e tij është quajtur “Dieppe, kryeqyteti i balonave,, e kështu vazhdon të quhet edhe pse tani në botë zhvillohen shumë takime të tilla. Ishte klubi i balonave të Francës që më ftoi dhe më prezantonte në festivalin e 5-të të balonave në shtator të vitit 1988.

balona1

Dhe ju morët pjesë në këtë takim, çfarë mund të kujtoni?

Ftesa për pjesëmarrje më bëri të përgatitesha. Në radhë të parë kujtoj vështirësinë për të shtypur diçka informative për Shqipërinë. Zgjodha si më të lehtën pllakatin edhe pse për shtypjen e tij. Ishte një proçedurë tepër strikte e pothuaj e pamundur. Pa miratimin nga shtëpia botuese “8 nëntori” asnjë shtypëshkronjë nuk mund të shtypte asnjë pllakat. Pllakatin e kompozova në format 30x30cm dhe do të shtypej në të dy anët. Kur të dy pjesët bashkoheshin, ajo e përparmja dhe ajo e pasmja krijonin një pllakat me dimension më të madh 60x30cm dhe të dy faqet së bashku krijonin një figurë. Teksti i cili përshkruante historikun e shkurtër të balonave në vendin tonë u përkthye nga i nderuari Isuf Vrioni të cilin e falenderova nga zemra duke e ndjerë veten borxhli ndaj tij, ndërsa Ai si fisnik më tha : …edhe unë të falenderoj për këtë spektakël pranveror që ju organizoni prej disa vitesh…

Po diçka tjetër ç’mund të na thoni për këtë takim?

Në stendën tonë u ekspozua një seri vizatimesh me ngjyra dhe me bojë kine. Në atë kohë ishte pothuaj i pamundur riprodhimi i tyre, por tani nëpërmjet internetit janë riparë, pasi balonistët të cilët i kanë blerë apo iu kam falur i ruajnë në koleksionet e tyre siç ruajnë edhe balonat me motiv nga Shqipëria. Një dyshe e tillë, një djalë dhe një vajzë të veshur me roba të krahinës së veriut ekspozohen në muzeun e balonave në Japoni.

folk

Krahas vizatimeve u ekspozuan edhe një seri me vizatime për fëmijë si dhe seria e pullave postare e cila ka njërën prej pullave të saj me temën e balonave vizatuar prej meje. Gjatë atij takimi ngrita në qiell balona tradicionale gjashtëkëndëshe të një dimensioni të madh. Ndërsa në mbrëmjen përshëndetëse të mbylljes së takimit sejcili delegacion falenderonte dhe përshëndeste organizatorët. Unë përveç falenderimit për pjesmarrjen fola edhe për organizimin e mrekullueshëm të takimit dhe i dhurova organizatorëve një vizatim me bojë kina ku pasqyrohej fusha e fluturimit me figurat e balonistëve të shquar e balonat e tyre dhe në sfond kalaja historike mesjetare e qytetit të Diepit. Ky vizatim ishte botuar disa ditë më parë në faqen e gazetës “Information Dieppoise” me një shkrim përshëndetës dhe falenderim të redaksisë për botimin e tij. Mbasi përshëndetën të gjithë delegacionet organizatorët i premtuan balonistêve se një riprodhim i këtij vizatimi do të dhurohej sejcilit prej tyre, e kështu bënë. Kujtoj se ky vizatim u botua më vonë në librin e historisë botërore të balonave nga Guido Acachina në Itali, po ashtu u botua nga revista frznceze “Kite & Kite,, e brejtuar nga balonisti i njohur Gerard Clement organizator i festivalit të Berck sur Mer, duke e shoqëruar me shënimin: ….ai kalon lehtësisht murin ideologjik me balonat e tij…  Këtë faqe reviste e botoi gazeta “Zëri i Rinisë” por mbi faqen e revistës shënimit i vunë një kryq… Unë e ruaj në koleksionin tim këtë fletë reviste. Klubi i balonistëve të rinjë belg në revistën e tyre e botuan gjithashtu këtë vizatim. Për pjesmarrjen në takimin e 5-të të Diepit u shkruajt edhe në gazetën e kohës “Bashkimi ” ku unë përveç balonave në intervistën time fola për muzeun e sapo hapur në Paris “Orsey” dhe veçanërisht përshtypjet për koleksionin e piktorit Van Gog i cili ekspozohej aty!!!  Gjithashtu TV shqiptar i solla një video të këtij takimi të cilën ata e transmetuan së bashku me një reportazh për “Ditën e Balonave”.

balona2

Çfarë solli për ju pjesmarrja për herë të parë në takimin e Diepit?

Në radhë të parë, njohja me këtë lojë në një nga takimet më të rëndësishme botërore të balonave. E dyta njohja me balonistë të njohur e që në përgjithësi ishin artistë, piktorë apo skulptorë e që i konsideronin balonat e tyre vepra arti e fluturimin e balonave spektakël gjigand në natyrë e instalacione shumëformshe e shumëngjyrëshe. Kjo njohje solli edhe ftesat për të marë pjesë në takime të tjera si në festivalin e Cervias apo Vilasimius në Sardenia, në Gubio, Urbino, St. Gustino të Italisë ku u ftova të ekspozoj edhe punimet e mija me temën e balonave. Por më e rëndësishmja ishte frymëzimi dhe angazhimi më serioz për ta zhvilluar këtë lojë në vendin tim. Në këtë kohë gjeja mundësinë dhe botoja vizatime, artikuj ku nuk haroja asnjëherë thirrjen: …Ejani në fluturimet tona me balonën tuaj …

Po ashtu kam bashkëpunuar për të realizuar dy filma të shkurtër televiziv të cilët transmetoheshin edhe si interval midis emisioneve televizive. Të gjitha këto sollën edhe krijimin e së parës shoqatë të pavarur nga shteti e cila botoi për aktivitetin e saj dy numra reviste. Gjatë kësaj kohe grupi i ynë përveç Ditës së Balonave kryente fluturime edhe në qytetet Durrës, Vlorë, Përmet, Berat, etj.

balona3

Atëherë, takimi i balonave të Diepit për ju është vazhdim i një angazhimi?!!

Vetë fakti që është e pesëmbëdhjeta herë pjesëmarrja në këtë takim e tregon këtë. Por unë kam marrë pjesë dhe kam ekspozuar punimet e mia edhe në takime të tjera si ai i Berck Sur Mer, Tour, organizuar në buzë të lumit, një hapsirë e kthyer në një park e i quajtur Gloriete dhe organizator i së cilës është piktori i njohur Michel Gresier. Ai në fushën e fluturimit të takimit të fundit të Diepit kishte ngritur atelienë e tij dhe gjatë ditëve të takimit realizoi dekorimin e balonave gjigande me ngjyra. Balonat e tij dhe ai vetë pothuaj janë vetë Eoli i erëve, i cili zotëron me fuqinë artistike dhe profesionalizmin e konstruksioneve të balonave hapsirën qiellore.

Kam marrë pjesë edhe në takimet e balonave në Itali dhe dua të veçoj takimet e Çervias ku organizator është piktori i njohur Claudio Capeli apo në manifestimin e aviacionit ushtarak Italian me pjesëmarrje te tipeve të ndryshëm elikopterësh dhe avionë të ndryshëm të lehtë e sportivë të cilët realizonin figura të ndryshme në fluturimet e tyre, ku si i ftuar prej komandantit Sciacoveli më ishte rezervuar një hapsirë e gjërë për fluturimin e balonave dhe ku për herë të parë fluturova pulëbardhën me një gjerësi 9 metra, dhe balonat delta tre ngjyrëshe të flamurit Italian së bashku me ato kuq e zi. Nga viti 2012 së bashku me piktorin nga Kosova Eshref Qahili dhe grupin e tij si dhe Gjergji Leka etj, në siglën KITES, BLU, SKY ALBANIA kemi ngritur balonat me ngjyrat kuq e zi dhe ato të Kosovës.

kico-dhe-mira-blushi

Në vitin 2014 mides nesh ishte i ftuar shkrimtari Kiço Blushi me Mira Blushin mikeshën tonë, shpresojmë që së shpejti balonat tona t’i fluturojmë së bashku në qiellin e Atdheut. Për mua ky manifestim gjithëherët ka qënë dhe është nga momentet më të bukura dhe frymëzuese… Por njëkohësisht një kujtesë dhe respekt për të gjithë ata të cilët më kanë përgëzuar dhe mbështetur me fjalë të mira për këtë lojë të cilën e vazhdoj qysh nga fëmijëria kur oficeri i marinës, im atë më fluturonte balonat në bregun e qytetit bregdetar të Durrësit ose siç quheshin në atë kohë “baltat”. Ashtu si dhe të gjithë ata që me ftesën “ju ftojmë në ditën e balonave me balonën tuaj…” mblidheshin në fushën e aviacionit të Tiranës në vitet 80-90. Amatorët e kësaj loje të lidhur me natyrën që mbushnin qiellin me forma e ngjyra të bukura i kujtoj me respekt dhe me të vetmen dëshirë që këtë lojë mijravjeçare të njerëzimit ta shoh përsëri në qiellin e Shqipërisë.

ftesa

Balona për ju është jo vetëm një lojë e vepër arti, por edhe një mjet komunikimi?

Në fushën e fluturimit një kënaqësi është edhe fotografimi i momenteve të ndryshme të balonave dhe disa prej tyre qysh në ditën e parë te takimit te fundit i vendosa në faqen time në rrjetin social fb. Pëlqimet, komentet dhe përshëndetjet e miqve janë emocionuese dhe frymëzuese për mua. Miqtë dhe dashamirësit vlerësojnë pasionin tim të hershëm për këtë lojë por edhe më frymëzojnë për të ardhmen. Ja disa shënime të tyre:

Anisa Markarian mjeke, aktore:       Më kujtohet edicioni i parë në Tiranë, Zamir. E përngjyrove me ylber shprese  në qiellin e ëndrrave tona. Lart e më lart balonat e tua, miku im! Të lira si ajri, lozonjare si era…

Shpresa Leka, arkitekte:           …suksese edhe në këtë fluturim të pasionit tënd artistik…

Enea Muça, gazetarTë gjitha janë këtu: Toka, Deti, Ajri… gjithcka gjallon, është vetë jeta me bukurinë e gjallërinë e saj të pafund…

Anila Bisha: Sa bukur! Kur do vijë dhe në Tiranë!?

Gazmend Mullahi, muzikantMall…ishte ndër aktivitetet më të bukura që gëzonim fëmijët tanë tek shikonim “Ditën e Balonave” tek ish fusha e aviacionit, dhjetra balona që ngriheshin në qiell. Që nga balona ime modeste për të cilën përpiqesha të gjeja materialet e nevojshme e deri tek balonat maramendëse, gjigande të Zamir Matit, mbante pezull për orë të tëra fëmijët tanë. Ka humbur kjo traditë… Respekte Zamir që mban gjallë pasionin tënd, mallin dhe nostalgjinë tonë !

Margarita Kristidhi Milkani, pianiste: Të kam zili për atë ndjesinë që provon… qetësi, ajër, magjia e një fluturimit të lehtë, pa zhurmë, ngjyra, qiell i kaltër drejtë të cilit vështrojnë të gjithë… fëmijë të lumtur… uroj një erë të ekuilibruar që të gjithë të shkojnë sa më mbarë….

Kreshnik Tartari, mjeshter i merituar i sportit, legjendari lojtar dhe trajner i ekipit kampion “Dinamo”: Urime…!!!

Ja dhe një këmbim mendimi me një koment të arkitekt Ibrahim Emirit: “Mikut tim të hershëm, njohur në në Përmet kur bashkëpunonim për ngritjen e hyrjes monumentale dhe dekorative të qytetit në vitet ’80… Urime Zamir, si veteran triumfator i garës së balonave ! Sukses gjithmonë në këtë aktivitet të bukur, ku ti me mjeshtëri lartëson simbolet tona kombëtare !

I dashur dhe i respektuar arkitekt I Emiri

Miku im i vjetër, balonat e mija ju i keni parë edhe kur i kam ngritur në qytetin e Përmetit shumë vite më parë

Unë kur fluturoj balona nuk kam asnjë qëllim të bëj ndonjë garë ato fluturojnë vetëm për kënaqësinë e një loje të cilën ma ka mësuar im atë oficeri i marinës shqiptare kur banonim në qytetin bregdetar të Durrësit

Balonat në qiell janë të gjitha të bukura si të mëdhatë ashtu dhe të voglat, si ato që i bëjnë artistët ashtu edhe ato që i ndërtojnë fëmijtë me prindërit e tyre

Është e vërtetë se unë shpesh herë kam zgjedhur ngjyrat e Shqipërisë kuq e zi për t’u paraqitur në manifestime të ndryshme balonash.

Por dëshira ime është e madhe që fëmijtë, të rinjtë e ata që e pëlqejnë këtë lojë të ngrinin balona për të gëzuar veten, prindërit për të gëzuar fëmijtë dhe balonistët e njohur për të organizuar fluturim spektakle në qiellin e Atdheut.

Është më bukur se sa të shohin politikanët, gazetarët në tv duke kërcyer në dasma lluksoze.

Balona për mua nuk është garë por një lojë e lidhur me natyrën e kështu që fëmijë mësohemi me të për ta mbrojtur, për ta mbajtur pastër e për të mos e ndotur. Kjo lojë të cilës i gjejmë dëshmitë qysh në mijëvjeçarët e hershëm të njerëzimit dhe është e zhvilluar gjatë historisë pothuaj në të gjithë popujt përmban në vetvete simbolet e lirisë,

Të uroj gjithë të mirat miku im i vjetër dhe mbarësi…”

Së fundmi dëshirojmë të dimë ndonjë projekt për të ardhmen…

Në kuadër të javës së kulturës së huaj në Paris të organizuar nga forumi i instituteve të kulturës në Francë ( ficep) në pesëmbëdhjetë vjetorin e saj në hapsirën e ,,La Maison d’Albanie,, që tashmë eshtë edhe anëtare me të drejta të plota krahas 52 antarëve dhe që ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Komunikacionit të Francës, Bashkia e Parisit, Komisioni Europian dhe shumë organizma të tjerë të cilët paraqiten me siglat e tyre në faqen e katalogut për të gjitha aktivitetet e kësaj jave, kështu do të hapet ekspozita me fotografi nga balonat me foto të realizuara në takime dhe fluturime të ndryshme balonash nga Z. MATI dhe Georges LEKA.

Ja si përshkruhet idea e ekspozitës sonë në katalogun e FICEP-it:

Fluturim drejt lirisë…

EKSPOZITË

Si të zgjedhësh çastin me aparatin fotografik, në erën e lehtë që fillon e fryn, fluturimet drejt qiellit dhe lirisë, ndjenjës së ngjitjes, kur dielli përkëdhel ngjyrat  e figurave fluturake apo të vallëzimit të simboleve?  Një punë delikate dhe një eksperiencë magjepëse të të pasionuarve për balonat dhe natyrës, të cilët dëshirojnë të ndajnë këto çaste nëpërmjet një zgjedhje të fotove të realizuara gjatë manifestimeve dhe festivaleve ndërkombëtare të balonave në Dieppe, Berck sur Mer, Tours, Çervia, Tirana, etj.

Po ashtu jam në përfundim të një libër album për balonat ku mundohem të tregoj historinë e tyre në Shqipëri. Dhe duke ju falenderuar ju për këtë intervistë shpresoj që së shpejti të fluturoj balonat në Atdhe…

* Përgatiti: I dërguari i “La Maison d’Albanie”, Paris, Agron Gjergji.

SHKARKO APP