Zamira Kita thirrje qeverisë: Të rishikojë rregullat anti-COVID që ka vendosur për artistët
Sot është Dita Botërore e Poezisë, ndaj pjesa e dytë e “Dola te Ola” filloi me disa vargje poezie të interpretuara nga Zamira Kita. Aktorja aq e dashur për të gjithë, ku me mjaft role në komedi, dramë, tragjedi, monodramë, ka bërë për vete publikun.
E teksa në studio shfaqet një foto e teatrit e mbushur me njerëz, Zamira Kita shprehet se nuk mund të rrijë pa e thënë se kur sheh teatrot bosh ndien dhimbje dhe përlotet. Ajo thekson se të gjithë artistët ndodhen në një situatë shumë të vështirë për shkak të rregullave anticovid. Aktorja bën thirrje për një rishikim të situatës në të cilën ata ndodhen, pasi sipas saj nëse lokalet janë plot nuk ka asgjë të keqe që edhe teatrot të punojnë me një numër të reduktuar apo në lokale artistët të lejohen të performojnë live.
Nuk munguan as foto gjatë karrierës së gjatë dhe të suksesshme të aktores, duke filluar nga fotoja kur Zamira Kita është ngjitur për herë të parë në skenë të mirëfilltë, apo foto gjatë roleve ku spikatet jo vetëm për interpretimin e pakrahasueshëm, por edhe për bukurinë që e ka karakterizuar dhe që vijon të mbetet e tillë. Zamira flet me shumë nostalgji dhe dashuri, kur shfaqen fotot me miqtë dhe kolegët e saj ndër vite.