Zanafilla e Ditës së Verës, ritualet dhe traditat e kremtimit në treva të ndryshme të shqiptarisë

Dita e Verës është një festë me rrënjë të thella pagane, e trashëguar prej shekujsh nga shqiptarët, si një simbol i rinovimit, pjellorisë dhe fillimit të një cikli të ri natyror. Kjo festë kremtohet më 14 mars, duke shënuar kapërcimin nga dimri i ashpër në pranverën e begatshme. Tradita e saj mban vulën e qytetit të Elbasanit, por kremtimi i Ditës së Verës shtrihet edhe në treva të tjera shqiptare, si Dibra, Struga, Prespa dhe Lezha.
Origjina dhe Simbolika
Kjo festë rrjedh nga një kalendar shumë i lashtë iliro-shqiptar, sipas të cilit, 1 marsi i kalendarit Julian, ose 14 marsi sipas kalendarit Gregorian, shënonte ditën e parë të vitit të ri. Ajo kremtohej si një festë e natyrës, duke nderuar zgjimin e jetës pas ftohtës së dimrit dhe ringjalljen e natyrës.
Në antikitet, grekët dhe romakët e vjetër i kushtonin rite të veçanta perëndive të natyrës dhe pjellorisë, si Dionisit dhe Floras. Ilirët e festonin Ditën e Verës si një moment ripërtritjeje dhe afrie me perëndinë Diana Candieviensis, hyjnesha e gjuetisë dhe pjellorisë, duke ndezur zjarre rituale dhe duke zhvilluar rite magjike për pastrimin e tokës dhe sëmundjeve.
Traditat dhe Ritualet
Elbasani dhe Ballokumja
Zemra e Ditës së Verës mbetet Elbasani, qyteti ku kjo festë ruhet me tërë madhështinë. Një nga simbolet kryesore të saj është ballokumja, një ëmbëlsirë tradicionale që përgatitet me miell misri, vezë, gjalpë të freskët dhe sheqer. Sipas traditës, ballokumja është një simbol i dritës dhe ngrohtësisë së pranverës, dhe serviret për të sjellë mbarësi në familje.
Një zakon i ruajtur deri sot është marrja e një tufë bari të njomë me rrënjë dhe dhe, që mbahet në sënduk apo mbi pragun e derës, si simbol i pjellorisë dhe ringjalljes së natyrës.
Dita e Verës në Lezhë
Në Lezhë, kjo festë shoqërohej me ndezjen e zjarreve të mëdha, që kishin funksion pastrues dhe simbolik, për të dëbuar shpirtrat e këqinj dhe energjitë negative. Gratë kryenin rite magjike, duke lidhur nyje dhe duke shqiptuar formula mistike për të mbrojtur veten dhe familjen nga shtrigat dhe sëmundjet.
Festimi në Dibër
Dibra e feston Ditën e Verës me një rit të veçantë: ndezjen e mullarëve me degë dëllinje. Dy javë përpara festës, djemtë e rinj dalin në mal për të mbledhur degë dëllinje, të cilat vendosen në pika të larta të fshatit, duke krijuar pirgje të mëdha që ndezen natën përpara festës.
Ky rit simbolizon shkrirjen e dimrit dhe nisjen e pranverës së begatshme. Vajzat këndojnë rapsodi tradicionale, ndërsa djemtë zhvillojnë gara force dhe lojëra popullore, si mundja dhe loja “Kala Dibrane”.
Të nesërmen, në mengjes, fëmijët dhe të rinjtë zgjedhin lule të ndryshme si kukurecat dhe lulethanat, të cilat vendosen mbi dyert e shtëpive si shenjë mbarësie. Vajzat ziejnë dhe ngjyrosin vezët, që thyhen në garat e pashmangshme mes të rinjve.
Një zakon interesant në Dibër është ai i “gjumashit”: ai që zgjohet më vonë se të tjerët mbyllet simbolikisht brenda shtëpisë, si një shenjë e humorit popullor dhe besimit se gjumi i tepër do të sjellë dembelizëm për të gjithë vitin.
At Berdardin Palaj tregon si kremtohej “Ditës së Verës” nga malësorët katolikë të veriut
“Ç’është Dita e Verës, sipas Faik Konicës?
Dita e Verës: Një Festë Kombëtare Shqiptare
Ndonëse Elbasani mbetet qendra kryesore e kremtimit, Dita e Verës është një festë kombëtare që bashkon të gjithë shqiptarët, pavarësisht krahinas dhe besimesh fetare. Ajo është një pasuri kulturore që reflekton botëkuptimin e shqiptarëve për jetën, natyrën dhe bashkëjetesën me ciklet e natyrës.
Dikur, stërgjyshërit tanë udhëtonin nga të katër anët për t’iu falur perëndisë së ripërtritjes dhe gjithësisë. Sot, shqiptarët e festojnë Ditën e Verës me një frymë gëzimi e hareje, duke ruajtur shpirtin e lashtë të kësaj tradite mijëvjeçare.