Zaptimi i hapësirave, Bashkia gjoba edhe bizneseve VIP

Policia Bashkiake dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit kanë nisur gjobitjen e të gjitha subjekteve që zaptojnë hapësirat publike. Pas publikimit të shtatë masave që penalizojnë këdo që shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, janë gjobitur dhe subjektet e para me gjobë që shkojnë nga 50 mijë deri në 200 mijë lekë.

Gjobat janë vendosur ditën e sotme në disa biznese ku institucionet përgjegjëse të Bashkisë së Tiranës kanë ndërhyrë për të liruar hapësirat publike. Siç duket edhe nga procesverbalet e mbajtura në këto raste, një subjekt në bulevardin Dëshmorët e Kombit është gjobitur me 200 mijë lekë për zënien e hapësirës publike me inerte. Për këtë kundravajtje subjekti është gjobitur nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe në bashkëpunim me Policinë Bashkiake është bërë largimi i mbetjeve.

Një tjetër rast është gjobitja e firmës që kishte ngritur strukturën me skela për riparimin e një godine në rrugën “Kristaq Capo”. Për këtë subjekt është vendosur 50 mijë lekë gjobë për zënie të hapësirës publike dhe vendosjen e skelave në trotuar. Më herët, Bashkia e Tiranës njoftoi se gjatë kësaj jave në njësinë nr. 5, Policia Bashkiake ka vendosur 84 gjoba për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat, karriget, vazo lulesh, gardhe dekorative apo mjete të tjera të paligjshme, si dhe 43 gjoba të tjera për dëmtim dhe vandalizim të hapësirave publike.

Ndërsa Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit ka vendosur 45 gjoba për zënie dhe bllokime të hapësirave publike, rrugë, trotuare, apo vendosje reklamash e postera në mënyrë të paligjshme.

SHKARKO APP