Zbardhet buxheti 2026, qeveria planifikon të shpenzojë 8.8 miliardë euro. Fondet për pensionet dhe pagat
Duke nisur nga 1 janari 2026, shteti shqiptar do të operojë me një portofol financiar të ri, i cili parashikon të ardhura rekord prej 823 miliardë lekësh dhe shpenzime që arrijnë në 886.7 miliardë lekë. Ligji Nr. 87/2025 “Për Buxhetin e vitit 2026”, i dekretuar së fundmi nga Presidenti Bajram Begaj dhe i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton prioritetet ekonomike, limitet e borxhit dhe ndarjen e fondeve për pushtetin vendor dhe atë qendror.
Pensionet dhe bonusi
Një vëmendje e veçantë në buxhet i është kushtuar shtresave në nevojë. Për vitin 2026, qeveria ka alokuar 10 miliardë lekë vetëm për bonusin e pensionistëve, një fond që do të ndahet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar në vlerën 1.65 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale të skemës së sigurimeve shoqërore kapin shifrën e 195 miliardë lekëve.
Paga e Presidentit dhe administrata
Ligji i ri sanksionon se administrata shtetërore (numri i punonjësve buxhetorë) fiksohet në 87,143 punonjës. Buxheti i vitit 2026 vjen me një deficit prej 63.7 miliardë lekësh. Për të mbuluar këtë diferencë dhe për të financuar projektet, qeveria ka autorizuar një huamarrje të brendshme deri në 45 miliardë lekë.
Stoku i borxhit parashikohet të arrijë në rreth 1.49 trilionë lekë (1,492,162 milionë lekë). Tavani për pagesat e kontratave koncesionare/PPP është vendosur në 27.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Edhe pse kanë kaluar vite nga tërmeti i 2019-ës, rindërtimi vijon të marrë fonde. Për vitin 2026 janë planifikuar 5 miliardë lekë për këtë proces. Nga ana tjetër, fondi për kompensimin e ish-pronarëve është caktuar në 3.5 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe (2.5 miliardë) vjen si transfertë nga buxheti i shtetit.
Pushteti vendor dhe emergjencat
Bashkitë do të përfitojnë një buxhet total prej 97.7 miliardë lekësh. Një risi është fondi për emergjencat civile, ku 1.5 miliardë lekë do të shkojnë për investime në parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe 300 milionë lekë janë dedikuar posaçërisht për sigurinë e digave. Ligji i Buxhetit 2026 hyn në fuqi zyrtarisht ditën e enjte, më 1 Janar.
KOHA JONË SONDAZH

