Zbardhet dëshmia e 50-vjeçarit që i bënë atentat: Më vunë automatikun në kokë, kur zbrazën armën unë…
Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku ndaj një 50-vjeçari qëlluan me armë zjarri. Atentati u bë ndaj shtetasit Alban Lukaj, i cili për fat të mirë shpëtoi pa marrë asnjë plumb.
Bëhet e ditur se në dëshminë e parë të dhënë për forcat e policisë, Lukaj ka thënë se nuk ka asnjë ide se cilët janë autoret dhe përse e kanë kërcënuar.
50-vjeçari gjithashtu ka treguar se në momentin që ishte me makinë, autorët, me motor, e kanë ndaluar dhe i kanë thënë te zbresë nga automjeti.
Ai ka bërë siç i kanë thënë dhe më pas i kanë vënë automatikun te koka. “Me kanë nxjerrë nga makina dhe më kanë vënë automatikun te koka dhe më pas kanë qëlluar mjetin. Në momentin kur kanë qëlluar nuk kam qenë në makinë”- ka thënë ai.
Ndërkohë policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.