Zbardhet ekspertiza/Pse vdiq nëna me foshnjen në maternitet. Institucionet “ping-pong” përgjegjësinë

Fati e deshi që në shtëpinë e Aida Çajkas, gëzimi për ardhjen në jetë e mbesës, të kthehej në lot hidhërimi e vajtimi. Ngjarja tragjike që ka shokuar opinion mbarë qytetar, trondit edhe më shumë me sorollatjet e një nëne nëntë muajshe shtatzënë, me komplikacione të rënda shëndetësore dhe të një kalvari përcjelljesh nga një spital në tjetrin, kjo derisa u dorëzua bashkë me foshnjën.

Aida humbi jetën në mënyrë enigmatike, që ka një përgjegjësie institucionale e kthyer në “pingpong” për mos gjetjen e diagnozës, ku e vetmja e vërtetë tragjike është se familjarët tërhoqën dje dy arkivole nga materniteti “Koço Glozheni” në Tiranë. Të afërmit e saj mes lotëve të dhimbjes, kanë pohuar se e kishin dërguar në spital mbrëmjen e së enjtes Aidën në maternitet dhe nga aty përfunduan në pavijonin e kardiologjisë në QSUT, e pas kësaj në Sanatorium dhe pastaj sërish në maternitet, ndërkohë që, gjendja e nënës sa vinte dhe u rëndonte nga njëri spital në tjetrin.

Në orët e para të mëngjesit të së premtes, sipas të afërmve të gruas, pasi është rikthyer në maternitet mjekët kanë konstatuar se foshnja kishte vdekur dhe e kanë futur gruan në sallën e operacionit për të hequr foshnjën. Por, pak minuta pasi hyri në sallë, e pafuqishme, nëna humbi jetën. Akuza e të afërmve, drejtohet te mjekët e spitalit, që e kanë sfilitur nga njëri proces në tjetrin dhe mungesa e shërbimeve dhe mjeteve, duke filluar nga mungesa e personelit, sallat e mbyllura, mungesa e barelës për transportin e të sëmurës, mungesën e oksigjenit etj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Familjarët akuzojnë bluzat e bardha, pasi sipas tyre, ata janë shkaktarë të humbjeve. Vëllai i nënës Aida Cajka deklaroi se policia e shoqëroi atë menjëherë pas vdekjes së motrës, pasi ai kishte kërkuar informacion nga mjekët dhe askush nuk i jepte shpjegime. Vëllai i viktimës në reagimin e djeshëm për mediat, pretendon se mjekët dhe drejtorja e spitalit kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me vdekjen e foshnjës.

Swiss Digital Mobile Reklama

“E fusim brenda, mjeku thotë po marr kolegët e mi. Tha fëmija ishte i gjallë. Në dokumentacion nuk vërteton se është bërë një ekografi që fëmija është gjallë. Më thanë na jep konsensusin që të bëjmë operacionin sepse bashkëshorti i saj nuk ishte këtu dhe në një moment mjekët largohen dhe vetëm njëri prej tyre i bënte një masazh kardiak. U them mjekëve çfarë po ndodh më thanë pyet vete. Në atë moment i rashë xhamit , ndoshta pak më fortë seç duhet dhe xhami u thye. Në këtë moment kanë lajmëruar policinë dhe më kanë shoqëruar. Drejtorja e spitalit më tha se në momentin që erdhi motra foshnja ka qenë e vdekur, ndërsa mjekët më thanë që foshnja ishte gjallë”,- deklaroi vëllai i 35-vjeçares, Fatjon Toska.

 

Hetimet

Prokuroria ka nisur tashmë hetimet për neglizhencë dhe pakujdesi të mjekëve. Akuzat e familjarëve janë se, neglizhenca e mjekëve solli vdekjen e Aidës.

Shkaku

Ekspertizës mjeko-ligjore, gruaja ka pasur një hemorragji të brendshme

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, është bërë e mundur që të zbardhet e vërteta, e cila ka shokuar dhe tronditur familjarët e viktimës. Burimet thonë se gruaja ka pasur një hemorragji të brendshme, sipas të cilëve vdekja e 35-vjeçares ka ardhur pasi ajo kishte çarje të shpretkës. Ndërkaq janë duke vazhduar hetimet për pretendimet e familjarëve të 35-vjeçares. Policia ndërkohë ka sekuestruar kartelat për të parë procedurën e shërbimit ndaj gruas si dhe po merr deklaratat e mjekëve dhe të të afërmve të saj. Drejtorja e maternitetit, Rubena Moisiu, duke komentuar akuzat e familjarëve, ka pohuar se janë duke u bërë të gjitha verifikimet nëse ato qëndrojnë apo jo, duke shtuar se urgjenca e maternitetit është e hapur gjatë gjithë 24 orëve.
Kunati i 35-vjeçares

Urgjenca ishte e mbyllur, mjeku kirurg 2 orë me vonesë

Kunati i 35-vjeçares që ndërroi jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” akuzon mjekët e spitalit për neglizhencë. Ai thotë se komplikacionet e saj nisën mbrëmjen e së enjtes rreth orës 21:30. Sipas tij, ata kanë pritur për rreth 25 minuta të hapej urgjenca për t’i dhënë ndihmën e parë, por gjithçka ka shkuar në mënyrë tragjike, jo vetëm duke humbur foshnjën, por edhe gruan 35-vjeçare. Mjeku kirurg, thotë ai, ka ardhur me dy orë vonesë dhe kjo vonesë në ndërhyrje, i kushtoi jetën nënës së re. “E sjellim nga shtëpia për lindje në maternitet dhe materniteti na e çon në QSUT për zemrën. Shkojmë atje, bëjmë analizat dhe zemra doli shumë e pastër. Ata dyshuan për ftohje të lehtë më pas. Komplikacionet nisën mbrëmë në maternitet”, thotë familjari i 35-vjeçares.

Deklarata

Ministria e Shëndetësisë, përshkruan lëvizjet e pacientes

Në deklaratën zyrtare Ministria e Shëndetësisë deklaron se 35-vjeçarja humbi jetën nga një hemorragji masive në regjionin e shpretkës. Ministria jep dhe të gjithë itinerarin që nga momenti kur pacientja është paraqitur në maternitet deri në orën 05:00 kur ka humbur jetën dhe deklaron se të gjitha lëvizjet janë bërë me autoambulancë nën asistencën e personelit mjekësor. U paraqit në “Koço Gliozheni” rreth orës 22:30 minuta të enjten. Pacientja paraqiti ankesa për vështirësi në frymëmarrje, cianozë periorale dhe dhimbje në regjionin perikardiak. Në këto kushte, ajo dërgohet me autoambulancë nën asistencë të personelit mjekësor rreth orës 23:15 minuta në Urgjencën e QSUT “Nënë Tereza” dhe pas mbërritjes është vizituar nga mjeku kardiolog. Më tej, nisur nga dispnea, cianoza dhe dhimbja prekordiale që paraqiste pacientja, rreth orës 1:45 minuta dërgohet me autoambulancë. Qysh në shtrim, përshkruhet gjendje e rëndë, e zbehtë, me djersë, puls të dobët takikardik 120/min, TA (Tension Arterial) 83/40 mm të shtyllës së zhivës. Në kushtet e gjendjes së rënduar të pacientes, u thirr konsultë e zgjeruar dhe megjithë vazhdimin e reanimimit, gjendja e pacientes vazhdoi të rëndohet. Në orën 5:00, pacientja u fut në sallën operatore, ku u hap barku dhe u konstatua hemoperitoneum. U nxor fetusi i vdekur. Nisur nga reperti kirurgjikal i paraqitur në orën 5:45 minuta u kërkua konsultë nga kirurgu, i cili konstatoi hemorragji masive në regjionin e shpretkës dhe koagula të shumta në këtë zonë. Megjithë ndihmën mjekësore të ofruar, pacientja fatkeqësisht ndërroi jetë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?