Zbardhet plagosja në Shkodër, policia arreston 3 persona
Policia e Shkodrës ka zbardhur plagosjen me armë ditën e djeshme ndodhur rreth orës 16:40, pranë “Radio Shkodrës”, te ish “5 Heronjtë”,
Në pranga u vunë tre persona, ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Eglion Zuna, i cili ishte duke udhëtuar me makinë me një shtetase të huaj dhe shtetasin Adem Ademi, që dyshohet se është autori i plagosjes.
Policia sqaron se: Në momentin e ngjarjes, shtetasi Eglion Zuna (i dëmtuari), ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij, tip “Benz”me targë AA 550 DX, në shoqërinë e shtetasit Adam Ademi dhe një shtetase të huaj.Nga veprimet e kryera rezulton se autori i dyshuar i kësaj ngjarjes është shtetasi Adam Ademi, i cili pas ngjarjes është larguar së bashku me mjetin tip “Benz” me targë AA 550 DX, duke penguar në zbardhjen e së vërtetës. Ndërsa arma e zjarrit Pistoletë TT, me të cilin është kryer plagosja ka qenë e të dëmtuarit Eglion Zuna, e cila u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale në Hotelin “Redbriks”, pronë e shtetasit Arben Ademi, i cili ka kundërshtuar forcat e policisë në kryerjen e detyrës. Në vendngjarje u gjet një gëzhojë armë zjarri, pistoletë, kalibri 7.62 mm, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Të arrestuarit janë:
* Adam Ademi, 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëvë luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”
* Arben Ademi, 54 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëvë luftarake dhe e municionit”
* Eglion Zuna, 20 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëvë luftarake dhe e municionit”
I dëmtuari është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lidhur me motivin e ngjarjes po punohet për sqarimin e plotë të tij, por paraprakisht dyshohet se mund të ketë ndodhur aksidentalisht.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale, parashikuara nga nenet 278, 236, 88/1 dhe 301 të Kodit Penal.
/Ora News

