Zbardhet protokolli anti-covid 19: Çfarë duhet të dini për të bërë plazh këtë verë
Këtë sezon veror plazhet do të marrin një tjetër pamje.
Çadrat dhe ndenjëset e pushuesve duhet vendosen rreth 7 metra nga bregu i detit, lumit apo liqenit, ndërsa hapësira nga çadra në çadër nuk duhet të jetë më e vogël se 3.5 metër.
1 dush me ujë të ëmbël ku të ketë sapun dhe xhel higjienizues duhet të jetë në dispozicion të pushuesve për çdo 100 çadra.
Krevatet e plazhit duhet të dezinfektohen në mënyrë periodike, ndërkohë që gjatë të gjithë orarit të hapjes së stacionit të plazhit duhet të sigurohet vazhdimësia e pastërtisë dhe boshatisja e koshave të mbeturinave.
Këto kushte parashikon protokolli i masave anti-covid-19 për sezonin turistik i cili është botuar në fletoren zyrtare. Të qarta janë rregullat edhe për baret e restorantet.
Tavolinat parashikohet të vendosen në atë mënyrë që distanca nga pjesa e pasme e një karrige tek pjesa e pasme e karriges tjetër të jetë më shumë se 1 metër. Personeli i shërbimit duhet të jetë i pajisur me maska dhe doreza të higjienizuara gjatë të gjithë periudhës së shërbimit. Në hotelet që ofrojnë shërbim bufe administrator duhet të përcaktojë korridorin e lëvizjes së klientëve.
Pijet nga makinat automatike duhet të shërbehen me gota kartoni një përdorimshme ndërsa pajisja duhet dezinfektuar pas çdo shërbimi.
Masat kundër Covid-19 duhet të publikohen në vende të dukshme në shqip dhe anglisht. Dezinfektuesit për duart duhet të jenë në dispozicion të klientëve në hyrje të barit apo restorantit ndërsa ashensori nuk rekomandohet të përdoret në të njëjtën kohë me persona që nuk janë nga e njëjta familje.
Administratori i sipërmarrjes turistike ose një person i përcaktuar prej tij duhet te monitorojë respektimin e masave dhe në rast se dikush në hotel ka kollë të thatë, dhimbje të fytit, vështirësi në frymëmarrje, duhet të telefonojë Urgjencën Kombëtare dhe Njësinë vendore të Kujdesit Shëndetësor.