Zbardhet udhëzimi, ja procedurat e reja për aplikimet në master

Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka zbardhur procedurat për aplikimin në programet master për të gjithë studentët që kanë mbaruar ciklin e parë të studimeve. Sipas udhëzimit të MAS, aplikimet në programet e ciklit të dytë të studimeve me kohë të plotë do të bëhen deri më datë 20 tetor për universitetet publike dhe deri më 27 tetor për institucionet e arsimit të lartë privat.

Të drejtën për të aplikuar në programet master profesional apo atë shkencor, e kanë të gjithë studentët që kanë mbyllur me sukses ciklin e studimeve bachelor dhe që janë pajisur me një diplomë përkatëse në një program të ciklit të parë. Po ashtu, këtë të drejtë e kanë dhe të gjithë studentët që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve jashtë vendit, të cilët më parë duhet të bëjnë njehsimin e diplomës pranë MAS.

Procedurat?

Swiss Digital Desktop Reklama

Të gjithë kandidatët që do aplikojnë në programet master duhet të paraqiten individualisht ose nëpërmjet një personi të autorizuar pranë sekretarive të fakulteteve për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm. Ata duhet të paraqesin pranë sekretarive: diplomën e studimeve Bachelor; diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me notat; si dhe fotokopje të dokumentit identifikues. Pas shqyrtimit të dokumentacionit nga ana e IAL-ve do të shpallet lista fituese e kandidatëve brenda 24 tetorit për universitetet publike dhe 31 tetorit për ato private.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kandidatët e shpallur fitues pranë universiteteve publikë do të kryejnë procesin e regjistrimit brenda datës 30 tetor në programet ku janë shpallur fitues, kurse ata të universiteteve private kanë kohë deri më 6 nëntor për të kryer procedurat e regjistrimit. Sa u përket tarifave, kritereve apo kuotave edhe për këtë vit do të jenë vetë universitetet ato që do t’i përcaktojnë.

Por ajo ç’ka bie në sy gjatë këtij udhëzimi është se edhe për këtë vit universitetet private vijojnë të jenë më të favorizuar se universitetet publikë për shkak të afatit kohor që ato disponojnë edhe pse dikasteri drejtohet nga një ministre teknike. Ministrja Karabina duket se ka treguar edhe njëherë dhëmbët kundrejt universiteteve publike pas rrëzimit të bordit administrativ. Pra, për privatin ka 7 ditë më shumë afat se për universitetet publike. Kjo i favorizon, pasi ata që mbeten jashtë duhet t’i drejtohen privatit.

Dokumentacioni për shtetasit e huaj

Të drejtën për aplikimet në programet master veç shtetasve shqiptarë e kanë dhe ata të huaj, të cilët në ndryshim nga ata që kanë mbaruar studimet e ciklit të parë në universitetet shqiptare, do paraqesin një dokumentacion më të zgjeruar. Por kush janë kriteret? Sipas udhëzimit të MAS të gjithë shtetasit e huaj që do aplikojnë për programet master në universitetet shqiptare duhet të paraqesin bashkëngjitur dokumentacionit përkatës edhe dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe si dhe të gjuhëve që ata kanë njohuri.

Kurse shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe që kanë njohuri të mira të gjuhës shqipe duhet të paraqesin vetëm një dokument nga vendi i origjinës që provon njohjen e gjuhës shqipe. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit e huaj që kanë përfunduar një cikël/program studimi në gjuhën shqipe në institucione të arsimit të lartë në Shqipëri. Ndërsa shtetasit e huaj që aplikojnë në bazë të marrëveshjeve dypalëshe përjashtohen nga tarifat e shkollimit, në përputhje me marrëveshjet përkatëse që ka bërë shteti shqiptar./Sot/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?