Zbarkimi i mjeteve e trupave të ushtrisë amerikane në Durrës! Peleshi: Gati për stërvitjen më të madhe

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka publikuar një video nga porti i Durrësit, ku shihet fluksi i madh i mjeteve ushtarake, një përqendrim që zyrtarët amerikanë thanë se nuk është parë në vendin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore. Peleshi shkruan se tashmë gjithçka është gati për të çelur “stërvitjen e përbashkët më të madhe”

“Nga porti i Durrësit ku vazhdon me ritëm zbarkimi i trupave dhe mjeteve amerikane. Gjithçka gati për të çelur stërvitjen e përbashkët më të madhe, të zhvilluar në Shqipëri, nga ushtria amerikane dhe forcat tona të armatosura në kuader te NATO, Defender Europe 21”, shkruan Peleshi.

Manovrat Defender-Europe këtë vit kanë përfshirë rreth 28,000 forca amerikane, aleate dhe partnere nga 27 vende për të kryer operacione të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi në më shumë se 12 shtete, nga Balltiku dhe Afrika në Detin e Zi dhe Ballkan.

Përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të angazhojë 1000 trupa në këtë stërvitje.

SHKARKO APP