“Zbërthehet” Monika Kryemadhi: Bashës iu refuzua viza amerikane…Me Ilir Metën nuk e di pse u divorcuam, por do bëj fushatë për të

Monika Kryemadhi, e ftuar te “Opinion” te Blendi Fevziu, ndër të tjera tha se Lulzim Bashës në vitin 2018 iu refuzua viza amerikane. Me tej Kryemadhi shtoi se Lulzim Basha kishte interesa me njerëzit e tij në Portin e Durrësit. Ishte gabim trashanik ikja nga parlamenti dhe mosfutja në zgjedhjet vendore, por atëhere Lulzim Basha na mashtroi duke na thënë se kancelarja gjermane Angel Merkel do të dilte pro opozitës.

Lulzim Basha ishte i blerë, shtoi Kryemadhi, por atëkohë nuk e dinim.

Ndërsa në raportin e saj personal me Ilir Metën ajo theksoi se ndarja mbetet e habitshme për mua se si ai kërkoi për ndarje. Në seancën e gjyqit për divorc nuk do të shkojë, tha Kryemadhi, sepse nuk kam pse pasi nuk kam çfarë ndajë me të. Ne kemi kujtime të bukura me Ilirin.

“Unë nuk do të marr pjesë as në seancën e radhës. Ai që e ka inicuar ai le ta komandojë si proces. Pjesa tjetër e marrëdhënies personale është një çështje që i takon familjes tonë. Nuk jam as e para as e fundit që i ndodh kjo gjë. Çështjet politiko-personale nuk dua t’i diskutojmë fare në aspektin emocional. Marrëdhënia ime është si një deputete.

Raporti është thyer më 1 prill të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë nuk kam pasur asnjë prononcim. Për mua kjo është e kaluar, vazhdoj të eci para për fëmijët e mi. Nuk e kam kërkuar asnjëherë arsyen e ndarjes. Informacionin e divorcit e kam parë në media.

Një gazetar më ka marrë në telefon dhe më ka thënë që është bërë padia për ju ndërkohë që po shikoja ndeshjen Shqipëri – Francë. Nuk jemi ulur ta bisedojmë ndonjëherë dhe nuk kam asnjë shpjegim prej tij” – tha Kryemadhi.

Monika Kryemadhi insistoi se gjithsesi do të bëjë fushatë pro Ilir Metës për tu zgjedhur deputet.

Pjesë nga intervista e Monika Kryemadhit kur flet për Lulzim Basha:

Monika Kryemadhi: Mjafton të shikosh sot xhirot e bizneseve të ish-kryetarit të opozitës, z.Basha, do të kuptoni se kush e ka blerë.

Blendi Fevziu: Pse ka biznese z.Basha?

Monika Kryemadhi: Duke filluar që nga projekti i Portit të Durrësit, për të vazhduar pastaj..

Blendi Fevziu: Është Al Abari..

Monika Kryemadhi: Po kunati i vetë (i z.Basha).

Blendi Fevziu: Z.Basha është në projektin e Durrësit?

Monika Kryemadhi: Bashkëpunëtorët e z.Basha janë ata të cilët janë pjesë jo vetëm në marketingun e shitjes së apartamenteve apo për të vazhduar dhe me projekte të tjera që nëpërmjet zyrës së Kryeministrit kanë bërë biznese pranë z.Basha në Ukrainë apo dhe me shumë projekte të tjera.

Blendi Fevziu: Në Ukrainë?

Monika Kryemadhi: Po. Patjetër. Unë asnjëherë nuk gaboj dhe nuk them gjëra që janë të pavërteta. Është një gjë që përsëri edhe historia e z.Basha, siç i erdhi Erion Veliajt radha, do t’i vijë dhe z.Basha radha. Unë shpresoj që qeveria holandeze të ketë mbaruar hetimin se me çfarë jeton bashkëshorti i znj.Basha në Shqipëri dhe me çfarë funksionon partia politike e tij.

Blendi Fevziu: Ka një investigim nga pala holandeze?

Monika Kryemadhi: E mira vonon por në fakt do të vijë një ditë ashtu siç erdhi dhe për çështjen e inceneratorit që akoma nuk është zbardhur deri në fund.

Gjatë intervistës ajo ka zbuluar se i ka hyrë botës së kinematografisë.

“Unë kam disa projekte në dorë duke bërë. Jam në realizimin e një filmi artistik, me një grup të rinjsh, kam një rol të rëndësishëm, i cili quhet “Me fat”. Është një film shumë interesant që ka në thelb familjen, ëndrrat e të rinjve për t’i realizuar dhe se si sfidat me të cilat ata përballen dhe përplasen, shoqëria në të cilën ne jetojmë e cila vjen në mënyrë nga më të ndryshmet.

Shpresojmë që ta nxjerrim në verë shumë shpejt, jemi duke xhiruar, janë xhiruar një pjesë e skenave dhe jemi duke xhiruar. Jam e bindur që do t’ju pëlqejë sepse është shumë interesante. Mendoj që do të jetë diçka ndryshe që ka një lloj ndikimi sadopak edhe në jetën time politike dhe aktive” – tha ajo.

 

SHKARKO APP