Zbulohen 22 ambiente të përshtatura për kultivimin e kanabisit në Krujë, asnjë autor i identifikuar

Policia e Krujës ka ndërmarrë këtë të enjte një aksion kundër kultivimit të kanabisit. Gjatë kontrolleve në fshatin Msheq Njësia Administrative Cudhi, u gjetën 22 ambiente për kultivimin e lëndës narkotike, si dhe u sekuestruan 148 bimë të dyshuara kanabisi.

Një pjesë e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.

Policia nuk ka mundur të identifikojë asnjë prej autorëve.

“Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, ka vijuar kontrollet në terren.

Gjatë kontrolleve u zbuluan 22 ambiente të përshtatura për kultivim, në fshatin Mafsheq, Njësia Administrative Cudhi, në të cilat u gjetën 148 bimë të dyshuara narkotike kanabis”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.

SHKARKO APP