Zbulohen fotot/ Qëlloi të riun në lokal me plumb pas koke, autori një ish-komando
Një ditë pas plagosjes së 21- vjeçarit Edmir Nilaj në një lokal nate me balerina, zbulohen të tjera të dhëna për autorin e dyshuar, Admir Dekovi, njëherësh truprojën e lokalit jashtë cilit ndodhi sherri.
BalkanWeb mëson se Dekovi, që qëlloi mbi të riun pas sherrit për një celular, në të kaluarën ka qenë një ish-komando. Madje edhe në fotot e postuara në profilin e tij në Facebook, duket qartë që mban uniformë ushtarake.

Që prej mëngjesit të djeshëm kur dyshohet se qëlloi 21-vjeçarin Dekovi është larguar në drejtim të paditur dhe deri më tani policia e Shkodrës nuk ka asnjë informacion për të. Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, blutë e Shkodrës kanë arrestuar 4 persona të tjerë të përfshirë në sherr.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Beltojë të Malësisë së Madhe, rreth orës 03:35 të së dielës, ku i plagosur me një plumb pistolete në kokë ka mbetur Edmir Nilaj, banor i fshatit Vukël në Malësinë e Madhe. 21-vjeçari kishte shkuar bashkë me disa shokë të tij në lokal me muzikë live dhe balerina.
Por, brenda ambientit të lokalit, mes tij dhe disa personave të ulur në një tavolinë ngjitur, ka nisur një debat për shkak se Edmir Nilaj nuk po gjente telefonin e tij. Palët kanë ngritur zërin dhe në ato momente, për të qetësuar situatën, është afruar shtetasiAdmir Dekovi, i cili punon në lokalin me muzikë live si truprojë.

