Zbulohet dokumenti sekret i Prokurorit Albert Demirneli për një krim ndaj medias

                                              

               

Shenim:Ka shume vite, pra qe naten e 2 marsit 1997, qe drejtesia shqiptare nuk deshiron te zbardhe krimin ndaj medias se pare te pavarur ne Shqiperi ku Shteti ishte ai qe dogji  gazeten "Koha Jone". Qe prej asaj dite dosja ne drejtesi sorollatet sa andej-ketej pasi dalin emra te medhenje nga politika dhe nuk duan te thone me fakte se ishte pushteti qe urdheroi djegien e redaksise me te madhe shqiptare.

Ndaj po gjejme dokumenta sekrete te cilat do ti botojme per te zbardhur para publikut fakte dritheruese se si Pushteti urdheroi dhe mori pjese ne kete masaker.

 

 

               VENDIM

                  (Për pezullimin e hetimeve)

Në Tiranë, viti 2008, muaji Janar, datë 25.

Unë Albert Demirneli, zv/Prokuror Rrethi në Prokurorinë Gjyqësor Tiranë, pasi studiova aktet e procedimit penal nr. 314 të vitit 1997, e cila bën fjalë për veprën penale “Vjedhje me armë”, parashikuar nga neni 140 të K.Penal.

                                                                KONSTATOVA

Se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi bazën e materialit të ardhur nga Komisariati i Policisë, nr. 1 Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr. 314 i vitit 1997, i cili bën fjalë për veprën penale, të parashikuar nga neni 140 i K.Penal.

Nga studimi i këtij materiali ka rezultuar se më datë 02.03.1997, duke hyrë data 03.03.1997, nga persona të paidentifikuar , është djegur godina e gazetës “Koha Jonë”. Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, më datë 10.04.1997, nga ana e Prokurorisë, është vendosur mosfillimi i procedimit penal, bazuar në nenet 291 dhe 190 gërma “dhe”, të K.Pr.Penale.

Më datë 15.12.2006, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, është vendosur shfuqizimi i vendimit të mosfillimit, pasi është konstatuar se përveç “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, konstatohen dhe elementë të veprave penale “Vjedhje me Armë”, parashikuar nga neni 140 K.Penal.

Lidhur me sa më sipër, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, janë kryer të gjitha veprimet hetimore të mundshme si më poshtë:

Janë pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të hetimit, shtetasit Nikoll Lesi, Anesti Nikolla, Gjon Uci, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Ilir Gjoni, Skënder Minxhozi, Martin Leka, Ilir Babaramo, Enton Abilekaj, Ylli Dylgjeri, Alfred Peza, Pashk Tusha, Tonin Vocaj, Pëllumb Dule, Gani Shehu dhe Arjan Shehu, është këqyrur regjistri i Kom. Pol. 3, janë sekuestruar prova materiale, prova fotografike e filmike dhe një sërë provash shkresore, etj.

Deklaruesit Nikoll Lesi, Anesti Nikolla, Gjon Uci, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Ilir Gjoni, Skënder Minxhozi, Martin Leka, Ilir Babaramo, Enton Abilekaj, Ylli Dylgjeri dhe Alfred Peza, kanë qenë në kohën e ndodhjes së ngjarjes, punonjës dhe drejtues të gazetës “Koha Jonë”.

Në deklarimet e tyre citohet se më datë 02.03.1997, në Shqipëri, e konkretisht në qytetin e Tiranës, situata e rendit ka qenë e destabilizuar dhe e tensionuar. Në këtë datë janë larguar nga redaksia e gazetës rreth orës 24.00, kohë kur ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme në Shqipëri. Në deklarimet e tyre, këta shtetas citojnë se rreth orës 02.00, janë njoftuar se redaksia e gazetës “Koha Jonë” po digjej dhe të nesërmen, kur kanë vajtur në punë, kanë konstatuar faktin se redaksia qe djegur totalisht dhe kanë mësuar se shoferi i pronarit të gazetës Nikoll Lesi, deklaruesi Anesti Nikolla dhe gazetari Zamir Dule nuk gjendeshin.

Në deklarimin e tij, shtetasi Blendi Fevziu, citon se natën e ndodhjes së ngjarjes, e ka lënë punën rreth orës 24.30 dhe është larguar për në shtëpi, të cilën e ka patur pranë redaksisë së gazetës “Koha Jonë”. Pasi ka mbërritur në banesë, është telefonuar nga pronari i gazetës, deklaruesi Lesi dhe ka mësuar se në redaksi kishte probleme. Ka dalë nga shtëpia dhe nëpërmjet një dere që lidhte banesën e tij me të komshiut, është afruar rreth 100 metra nga redaksia dhe ka parë tre makina fuoristrada dhe një furgon ngjyrë të bardhë të ndaluara para redaksisë. Po kështu, ka parë njerëz të cilët gërthisnin në redaksinë e gazetës që po digjej. Më pas, ka parë se makinat janë larguar me shpejtësi, në dy drejtime të ndryshme.

Në deklarimin e tij, shtetasi Anesti Nikolla, sqaron se në vitin 1997, ka qenë shofer i pronarit të gazetës “Koha Jonë”, shtetasit Nikoll Lesi. Po kështu, deklaruesi Nikolla thekson se më datë 03.03.1997, rreth orës 01.00, është telefonuar nga deklaruesi Lesi, i cili i ka kërkuar të vinte në banesën e tij. Deklaruesi Nikolla, ka vajtur menjëherë, pasi banesat e tyre ishin në të njëjtin pallat dhe ka mësuar nga deklaruesi Lesi se redaksia e gazetës “Koha Jonë” po digjej. Në këtë kohë, deklaruesi Nikolla i ka kërkuar deklaruesit Lesi që të shkonte i vetëm dhe të kontrollonte redaksinë, pasi në rrugë kishte destabilitet dhe dëgjoheshin sistematikisht të shtëna armësh. Deklaruesi Nikolla është nisur dhe ka vajtur në redaksi, ku ka parë se në oborrin e redaksisë kishte persona të veshur me uniforma ushtarake dhe policie, të armatosur, të cilët qëllonin në ajër. Po kështu, deklaruesi Nikolla ka parë në oborrin e redaksisë gazetarin Zamir Dule, të cilin personat me uniformë po e ofendonin. Deklaruesi Nikolla ka marrë kontakt me personat e veshur me uniformë dhe i ka sqaruar se ishte punonjës i gazetës “Koha Jonë”. Në këtë kohë, personat e veshur me uniforma, e kanë dhunuar dhe e kanë futur në makinën e tij së bashku me gazetarin Zamir Dule dhe e kanë urdhëruar të shkonte drejt Komisariatit të Policisë, nr. 3. I kanë dorëzuar në këtë komisariat, i kanë futur në dhomat e izolimit. Deklaruesi Nikolla sqaron se në kohën kur kanë qenë të shoqëruar në komisariat, janë dhunuar nga disa persona të veshur civilë dhe se prezent kanë qenë edhe Shefi i Rendit të Komisariatit, deklaruesi Tonin Voci.

I pyetur rreth këtij fakti, deklaruesit Voci i kujtohet se gazetari i gazetës “Koha Jonë”, Zamir Dule dhe një punonjës tjetër i gazetës “Koha Jonë”, janë shoqëruar në Komisariatin nr. 3, nga tre persona të cilët sipas deklaruesit Voci, i janë prezantuar si punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar.  Deklaruesi Voci pretendon se u ka kërkuar tre personave të identifikohen, por ata nuk kanë pranuar. Por nuk kujton nëse gazetari i gazetës “Koha Jonë”, Zamir Dule dhe personi tjetër ishin të dëmtuar apo jo.

Më datë 24.01.2007, është bërë kqyrja e “Librit të Shoqërimit të personave në Komisariatin e Policisë, nr. 3”. Nga kqyrja ka rezultuar se më datë 02.03.1997, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, nr. 3” shtetasit Zamir Dule dhe Anesti Nikolla, rreth orës 02.00, nga punonjësi i Shërbimit Informativ Kombëtar D.3, deklaruesi Arjan Shehu.

Të pyetur rreth faktit, deklaruesit Arjan Shehu dhe Gani Shehu, theksojnë se në muajin Mars 1997, kanë qenë punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, Drejtoria 3 dhe se më datë 02.03.1997, kanë qenë me shërbim pike kontrolli, pranë vendit të quajtur “Selvia”. Po kështu, ata theksojnë se së bashku me ta, kanë qenë të dislokuar me të njëjtin shërbim, në të njëjtën pikë kontrolli dhe forca policie.

Po kështu, deklaruesit Arjan Shehu dhe Gani Shehu, theksojnë se atë natë në pikën e kontrollit, kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, nr. 3, një makinë e cila lëvizte jashtë orarit të lejuar, duke shkelur gjendjen e jashtëzakonshme, por nuk i kujtohet sesa persona kanë qenë në makinë.

Ka qenë e pamundur pyetja e gazetarit Zamir Dule, i cili atë natë, ka qenë brenda ambjenteve të redaksisë së gazetës “Koha Jonë” duke fjetur, pasi ky shtetas pas kësaj ngjarje, ka pësuar dëmtime të rënda mendore dhe aktualisht, është i papërgjegjshëm.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, del qartë fakti se redaksia e gazetës “Koha Jonë” është djegur natën e ndërrimit të datës 02.03.1997-03.03.1997, kohë në të cilën në Tiranë ishte vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Bazuar në deklarimet e shtetasve Ben Blushi, Blendi Fevziu, Nikoll Lesi, Anesti Nikolla, vëllait të të dëmtuarit Zamir Dule, shtetasit Pëllumb Dule, Tonin Voci, Arjan Shehu, Gani Shehu, kqyrjes së librave të shoqërimit të personave në Komisariatin e Policisë, nr. 3 Tiranë etj, krijohen dyshime të bazuara se në djegien dhe vjedhjen e redaksisë së gazetës “Koha Jonë”, kanë marrë pjesë njerëz të armatosur, me uniforma ushtarake dhe policie.

Por megjithë veprimet proceduriale të kryera, pyetjes së deklaruesve të shumtë, administrimit të provave të ndryshme shkresore, materiale, filmike, fotografike etj, nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj vepre penale.

Në këto rrethana, duke qenë se nga veprimet hetimore të kryera, në lidhje me identifikimin e autorëve të mundshëm që kanë konsumuar veprën penale objekt hetimi, çmohet se hetimet paraorake, në lidhje me këtë procedim duhet të pezullohen, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme nga ana e policisë.

Për sa më sipër dhe bazuar në nenin 326.1 të K.Pr.Penale:

 

                                                                                VENDOSA

 

Pezullimin e hetimeve të procedimit penal nr. 314 të vitit 1997.

Dërgimin e akteve Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore, për zbulimin e autorëve.

 

 

SHKARKO APP