Zbulohet shuma e parave që u nisën nga Anglia me fugon dhe u kapën në portin e Durrësit

Numërimi i pakove që janë sekuestruar në portin e Durrësit ka përfunduar. 124 mijë Paund u gjetën në fugonin që erdhi nga Anglia. Policia e Shtetit ka pasur me herët informacion se në një fugon mallrash, që po vinte nga Anglia ka pasur një shumë parash në monedhë Paund.

Çfarë ka thënë për autoritetet shoferi?

Fugoni tip Mercedes Benz me targa angleze ku u gjetën 124 mijë Paund bën shërbimin postar mes emigrantëve shqiptarë dhe familjeve të tyre në Angli. Pakot me Paund u gjetën në pjesën e prapakolpit, pas kontrollit në skaner të fugonit. Mësohet se i ndaluari nuk ka pranuar deri tani të ishte në dijeni për sasinë e gjetur të parave.

Deklarimet e qeverisë angleze për Shqipërinë

Një javë më parë qeveria angleze e konsideroi Shqipërinë si një vend me mundësi të shumta për pastrimin e parave që vijnë nga bota e krimit. Në të shkuarën mediat britanike kanë raportuar se grupet kriminale shqiptare në Angli paratë e fituara nga trafiku i kokainës i sjellin në Shqipëri përmes mënyrave të ndryshme.

Njëra prej tyre përdorimi i fugonëve që transportojnë mallra nga Anglia në drejtim të qyteteve të ndryshme shqiptare. Mësohet se tarifa e transportit të parave në mënyrë ilegale shkon nga 15 deri në 20% të shumës që individët janë interesuar për t’i çuar në Shqipëri.

Gjatë vitit të shkuar sipas të dhënave të publikuara nga Dogana Shqiptare janë mbi 15 raste kur personave që udhëtonin nga Londra drejt Rinasit i janë kapur sasi në Paund që varionin nga 25 mijë deri në 70 mijë sterlina.

Po ashtu në pikat e kalimit tokësor në disa raste është bërë e mundur sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme në Paund. Një prej rasteve është ai i kapjes së 120 mijë sterlinave fshehur në një lavatriçe. Ky rast u zbulua në pikën doganore të Kakavijës.

SHKARKO APP