Zbuluesit amerikanë: zoti President, na thoni të vërtetën për rrëzimin e MH17 në Ukrainë!

 

Ju sjellim në vëmendje letrën e hapur drejtuar Presidentit të SHBA-ve Barack Obama nga Shoqata amerikane “Veteranët e Zbulimit për një Gjykim të Shëndoshë” më 22 korrik 2015, një vit mbas rrëzimit tragjik të avionit malajzian MH17 në Ukrainën lindore.

Drejtuesit e Shoqatës “Veteranët e Zbulimit për një Gjykim të Shëndoshë”, të cilët i shërbyen atdheut gjithë jetën dhe dhanë kontributin e tyre në zbulimin amerikan, kërkojnë jo shumë nga Obama: vetëm që të bëhet publike ajo që dihet nga institucione të ndryshme zbuluese të SHBA-ve rreth shkaqeve të vdekjes së 298 njerëzve në qiellin mbi Ukrainën më 17 korrik 2014.

Shoqata “Veteranët e Zbulimit për një Gjykim të Shëndoshë” u krijua në vitin 2003 si një reagim spontan i veteranëve të zbulimit të dalë në lirim ndaj mashtrimit të hapur që autoritetet amerikane inskenuan gjatë përgatitjes së sulmit kundër Irakut. Një shembull i qartë: fill pasi Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell e paraqiti në OKB një provëz, ku kinse mbaheshin kampione të armëve kimike të Sadam Hyseinit, veterant e zbulimit u shprehën hapur që ajo e gjitha ishte një sajesë. Dhe ata kishin të drejtë. Por, askush nuk ia vuri veshin. SHBA-të e sulmuan Irakun. Sot, si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe arabët dhe e gjithë bota po vuajnë pasojat.

Më pas, ish-zbuluesit përgënjeshtruan pohimet e Sekretarit amerikan të Shtetit Xhon Keri se Presidenti i Sirisë gjoja i kishte përdorur armët kimike kundër “kryengritësve liridashës”. Keri donte me çdo kusht të bombardonte Sirinë, kurse veteranët askush nuk i dëgjoi. Me vonë, u bë qartë se armët kimike i kishin përdorur pikërisht ata kryengritës, të cilët SHBA-të ishin të gatshme t’i mbështesnin edhe me avionë bombardues. Falë Zotit që zgjidhjen për të dalë nga kjo situatë e gjeti Rusia dhe në fund të fundit Bashar al-Assadi hoqi dorë nga armët kimike. Ngjarjet e sotme në Ukrainë, me përdorim metodash të zakonshme mashtrimi dhe dezinformimi, përfshirë edhe interpretimin e tragjedisë së avionit të rrëzuar MH17, janë shenjë hakmarrjeje ndaj Rusisë.

 

Ja teksti i Memorandumit të Shoqatës amerikane “Veteranët e Zbulimit për një Gjykim të Shëndoshë” drejtuar Presidentit Obama.

Drejtuar: Memorandumi për Presidentin

Nga: Shoqata “Veteranët e Zbulimit për një Gjykim të Shëndoshë”

Lënda: Publikimi i raportit të zbulimeve për rrëzimin e avionit malajzian MH17

Ka kaluar një vit që kur u rrëzua avioni i “Linjave Ajrore Malajziane” MH17 në Ukrainë. U vranë 298 pasagjerë së bashku me anëtarët e ekuipazhit. Reagimi i parë i Qeverisë amerikane ishte mbajtja e një qëndrimi të përbashkët se keqbërësit e mundshëm ishin “forcat antiqeveritare në jug-lindje të Ukrainës” (të cilët në shtyp i quajnë me të padrejtë “separatistë”) dhe se ato ishin përkrahur drejtpërdrejt nga Moska.

Më 29 korrik 2014, ne, “Veteranët e Zbulimit për një Gjykim të Shëndoshë”, propozuam që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të publikonte informacione hetimore që ajo disponon lidhur me çështjen në fjalë, me qëllim që incidenti të mos kthehet në psikozën e radhës të sulmeve të pabaza ndaj Rusisë. Por një raport i tillë nuk ka ardhur kurrë.

Pikat kryesore të Memorandumit

Tensioni në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, për shkak të Ukrainës, po shkon drejt një pike të rrezikshme. Një rol të madh në krijimin e një opinioni negativ të shoqërise amerikane ndaj Moskës ka luajtur rrëzimi vitin e kaluar i avionit MH17. Publikimi i raportit hetimor të zyrës holandeze për sigurinë është planifikuar për muajin tetor. Megjithatë, sipas disa të dhënave, drafti i këtij raporti tashmë i është dorëzuar Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Përflitet që raporti do të jetë në një linjë me atë që kanë shkruar mediat dhe atë që bazohet në “rrjedhjet” nga burimet shtetërore. Domethënë, faji kryesor do të bjerë mbi ukrainasit rusishtfolës nga jug-lindja e Ukrainës që kanë dalë kundër qeverisë, e cila erdhi në pushtet si rezultat i grushtit të shtetit të 22 shkurtit 2014 në Kiev të orkestruar nga Perëndimi.

Meqenëse marrëdheniet me Moskën kanë një rëndësi kritike edhe për vetë faktin se Rusia ka mundësi ushtarake për ta shfarosur Amerikën, një rregullim i kujdesshëm i këtyre marrëdhënieve ka një domethënie të dorës së parë. Në qoftë se SHBA-të do ta mbështesin konkluzionin që fajëson Rusinë, pa pasur baza të mjaftueshme hetimore, ato vetëm do t’i acarojnë më tej këto raporte të tensionuara pa qenë e nevojshme.

Në këndvështrimin tonë, një hetim i plotë i katastrofës duhet të përfshijë shqyrtimin e çdo mundësie të verifikimit të të dhënave të mbledhura. Sot për sot shoqëria amerikane dhe publiku i gjerë në gjithë botën e dinë vetëm një gjë të sigurt: avioni është rrëzuar. Por kjo mund të ketë ndodhur nga një veprim i rastësishëm i secilës prej disa palëve. Ose mund të ketë qenë një veprim i qëllimshëm i forcave antiqeveritare i ndërmarrë ose me implikimin e Moskës, ose pa atë. Po ashtu, është e mundshme që përgjegjësinë ta ketë qeveria në Kiev ose ndonjë oligark i fuqishëm ukrainas, të cilët kanë pasur për qëllim t’i komprometonin forcat antiqeveritare ose Moskën.

Dhe në fund fare (megjithëse ky është skenari më pak i besueshëm) ka gjasa që të dhënat e zbulimit nuk lejojnë në asnjë mënyre që të përcaktohet fajtori.

Rreziku është mjaft i lartë si për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tejet të rëndësishme me Rusinë, ashtu edhe nga pikpamja e konfirmimit të aftësisë së Shtëpisë së Bardhë për të ngjallur besim tek deklaratat e saj. Duke u gjendur para kësaj situate, të shkakton habi refuzimi i Administratës për të paraqitur një vlerësim të bashkërenduar hetimor, në të cilin do të parashtroheshin të gjitha të dhënat e mbledhura që do të mundësonin gjetjen e fajtorit. Në qoftë se Qeveria e Shteteve të Bashkuara e di se kush e rrëzoi avionin, ajo duhet të paraqesë provat. Në qoftë se nuk e di, atëherë le ta thotë këtë.

Në rrëfimin e mëposhtëm ne, ish-zbuluesit profesionalë, me një stazh të përbaskët të punës në institucione të ndryshme prej 360 vitesh, ndajmë vizionin tonë mbi situatën dhe kërkojmë në mënyrë të përsëritur që të publikohen të dhëna të vërteta të zbulimit dhe jo informacione që nuk të bindin apo të ngjallin dyshim, të cilat i janë paraqitur publikut gjatë një viti të tërë, nganjëherë duke iu referuar “rrejeteve sociale”.

Pak histori

Zbuluesit – autorët e Memorandumit – kujtojnë historinë e avionit koreano-jugor 007 të rrëzuar mbi territorin e Lindjes së Largët të Bashkimit Sovjetik më 1 shtator 1983. Atëherë humbën jetën 269 njerëz. Që nga minutat e para administrata e Ronald Reagan-it e dinte se pilotët sovjetikë e rrëzuan “Boeing” në hapësirën ajrore sovjetike, pasi e morën atë për një avion zbulues, i cili ishte futur thellë në një territor me rëndësi strategjike. Por ajo nuk e pengoi administratën e atëhershme amerikane të niste një fushatë propagandistike antisovjetike me akuza se “sovjetikët qëllimisht i kanë vrarë njerëz të pafajshem”.

Ata kujtojnë edhe për një gjë tjetër: kur anija amerikane më 3 korrik 1988 rrëzoi avionin civil iranian mbi Gjirin Persik, duke fundosur 290 persona, Presidenti Ronald Reagan e cilësoi këtë tragjedi si “një incident të shpjegueshëm”.

Dikush gënjen

Ish-zbuluesit shkruajnë se si Rusia, ashtu edhe Ukraina e mohojnë implikimin e tyre në rrëzimin e MH17. Ashtu bëjnë edhe kundërshtarët e grushtit të shtetit nga jug-lindja e Ukrainës. Duket qartë se dikush e di të vërtetën, por gënjen për të shfajësuar veten. Në këndvështrimin e SHBA-ve, mbi ngjarjen duhet hedhur dritë dhe faktet që disponohen duhen të bëhen publike. Asnjë vend tjetër nuk ka mundësi të tilla si SHBA-të për të dhënë përgjigje të bazuara në fakte. Duhet të shfrytëzohen të gjitha instrumentet e grumbullimit dhe analizës së të dhënave të zbulimit. Gjithçka që është thëne deri tani nuk duron asnjë kritikë dhe nuk të lejon të kuptosh se kush gënjen lidhur me shkaqet e rrëzimit të fluturimit MH17.

Plot një vit më parë Drejtori i Zbulimit Kombëtar Xhejms Klaper zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me një grup gazetarësh të mediave kryesore. Takimi bazohej mbi disa teza të shkëputura nga një dokument shumë të shkurtër me titull “Vlerësimi qeveritar”. Kjo ndodhi vetëm pesë ditë pas rrëzimit të avionit dhe dy ditë pasi Sekretari i Shtetit Xhon Keri drejtoi gishtin nga kryengritësit ukrainas. Kuptohet që duhej ndonjë justifikim. Por, ashtu si deklaratat e Xhon Kerit në televizion më 20 korrik 2014, pjesa më e madhe e “Vlerësimit qeveritar” i kishte marrë informatat nga postimet në “rrjete sociale”.

Takimi i përmendur i 22 korrikut 2014 interpretoi (në mënyrë jo bindëse) çështjen kryesore: kush qëlloi nga sistemi “Buk” që kudo mendohej se rrëzoi avionin më 17 korrik 2014? Asnjë plotësim te ky “Vlerësim qeveritar” i nxituar nuk është bërë kurrë për një vit të tërë. Mos vallë na propozojnë të besojmë që për një vit të tërë komuniteti zbulues nuk ka marrë asnjë informacion të ri që do të plotësonte versionin e lidhur me “Buk-un”? Në takimin e 22 korrikut 2014 nuk u përjashtua gjithashtu se raketa mund të ishte lëshuar nga një “tradhtar” ukrainas. Si është e mundur që nuk ka dalë në dritë asnjë fakt që ta qartësonte këtë? Të jemi të sinqertë, ne e kemi të vështirë të besojmë se për plot një vit organet zbuluese të SHBA-ve u treguan të paafta të zgjeronin këndvështrimin e tyre rreth këtij problemi kyç.

Në fakt është një tendencë e vjetër “t’i përshtatësh të dhënat e zbulimit me kërkesa politike”, duke e cituar “Memorandumin e Downing Street” në lidhje me shkaqet e fillimit të luftës së turpshme në Irak. Ne i mbajmë mend edhe deklaratat e mëvonshme të Sekretarit të Shtetit Xhon Keri, ku theksonte se “ne e dimë” që pikërisht regjimi i Bashar al-Assad-it mban përgjegjësi për përdorimin e armëve kimike në afërsi të Damaskut. Në atë kohë Keri sërish iu referua “Vlerësimit qeveritar”. Ne u bëmë dëshmitarë të shfaqjes së një zhanri te ri unikal të “vlerësimeve” që e zëvendësuan vlerësimin normal të zbulimit si rezultat i refuzimit të analistëve të ndershëm të zbulimit të udhëheqeshin nga arsyetimi politik. Në të vërtetë, doli në pah se akuzat e Kerit bazoheshin në informacione të rrema dhe madje të falsifikuara të marra nga kundërshtarët e qeverisë siriane.

Ka ardhur momenti që të zbulohet e vërteta. Në qoftë se Shtëpia e Bardhë disponon të dhëna konkrete për fatin e avionit MH17, ne rekomandojmë me këmbëngulje që ato prova të publikohen që tani, derisa opinioni se “Rusia është fajtore për gjithçka” të mos bëhet gjithëpërfshirës. Populli amerikan është plotësisht i aftë të kuptojë vetë se çfarë ka ndodhur, por atij i duhet informacioni i plotë i paraqitur pa paragjykime dhe pa përpjekje për të shmangur konkluzione të pakëndshme. Kjo duhet bërë doemos, pa u trembur se do të zbulohen “burimet dhe metodat”, sepse bëhet fjalë për një çështje më e rëndësishme – për çështjen e luftës ose paqes me Rusinë.

Duhet vënë në jetë “Vlerësimi i zbulimit” ndërinstitucional, një mekanizëm, i cili është përdorur në të kaluarën për të paraqitur të dhënat vërtet të rëndësishme. Aq më tepër se nga ish-kolegët tanë kemi marrë informacion se drafti i raportit holandez është i ndryshëm me të dhënat reale të mbledhura nga zbulimi. Të perdorërsh në mënyre të përsëritur “Vlerësimin qeveritar” dhe jo atë të zbulimit me qëllim shmangien e çështjes së përgjegjësisë nuk është dinjitoze dhe fyen ndershmërine dhe profesionalizmin e komunitetit të zbuluesve.

Zoti President! Jemi të sigurtë se Ju duhet t’u drejtoheni menjëherë zbuluesve dhe analistëve të ndershëm dhe t’i dëgjoni ata, sidomos në qoftë se ata nuk bien dakord ose madje edhe kundërshtojnë deklarata të gjithpranuara. Ka shumë gjasa që ata do t’ju bindin juve që ta trajtoni me më seriozitet rrëzimin e MH17 dhe të minimizoni rrezikun e rrokullisjes së marrëdhënieve me Rusinë në nivelin e kthimit të “luftës së ftohtë”, me mundësinë e përshkallëzimit të situatës deri në konflikt bërthamor. Duhet të themi me sinqeritet të plotë. Ne dyshojmë se të paktën disa nga këshilltarët tuaj nuk janë të aftë të kuptojnë realitetin e këtij rreziku të tmerrshëm.

Duke shpresuar për një pergjigje,

Në emër të grupit koordinues të Shoqatës “Vetaranët e Zbulimit për një Gjykim të Shëndoshë”:

William Binney,ish-drejtor teknik i njësisë për Analizën Globale Gjeopolitike dhe Ushtarake, Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK);

Thomas Drake,ish-nëpunës i ASK-së;

Daniel Ellsberg,ish-nëpunës i Departamentit të Shtetit dhe të Ministrisë së Mbrojtjes;

Philip Giraldi,oficer operativ i CIA-s (në lirim);

Matthew Hoh,ish-kapiten i Marinës Amerikane në Irak, diplomat;

Larry Johnson,përfaqësues i CIA-s dhe Departamentit të Shtetit (në lirim);

John Kiriakou,ish-oficer i CIA-s për luftën kundër terrorizmit;

Karen Kwiatkowski,nënkolonele e Forcave Ajrore të SHBA-ve (në lirim);
ishte dëshmitare se si në Ministrinë amerikane të Mbrojtjes në vitet 2001-2003 u sajua gënjeshtra që justifikonte sulmin ndaj Irakut;

Edward Loomis,kriptograf i ASK-së (në lirim);

David MacMichael,Këshilli Kombëtar i Zbulimit (në lirim);

Ray McGovern,ish-oficer i Forcave të Këmbësorisë / i zbulimit, analist i CIA-s (në lirim);

Elizabeth Murray, zv.drejtore e Shërbimit Kombëtar të Zbulimit të SHBA-ve për Lindjen e Mesme (në lirim);

Todd E. Pierce,major i njësisë juridike të Forcave Tokësore (në lirim);

Coleen Rowley,këshilltare dhe agjente speciale, FBI (në lirim);

Peter Van Buren,Departamenti i Shtetit, diplomat (në lirim);

Kirk Wiebe,ish-analist i lartë i ASK-së;

Ann Wright,kolonele e Forcave Tokësore (në lirim); ish-diplomate.

 

 

SHKARKO APP