Zef Brozi: Kërkoj të vë para përgjegjësisë të gjithë mafiozët e rangut të lartë

(Botuar me 19 Nëntor 1994 në KOHA JONE)

Intervistë me Kryetarin e Kasacionit, z. Zef Brozi
Publiku shqiptar u njoh me incidentin e djeshëm që ka ndodhur mes dy grupeve shoqëruese, pra mes Fatos Dervishit dhe Zef Brozit. Në pamje të parë duket sikur është një ngjarje e zakontë, por personalisht kam përshtypjen se ky është një reflektim brutal i segmenteve të caktuara të shtetit shqiptar ndaj drejtësisë dhe pavarësisë së gjykatave që kërkoni ju si Kryetar i Kasacionit. A jeni edhe ju i këtij mendimi?
Për fat të keq, sot të jesh Kryetar i Gjykatës së Kasacionit është fatkeqësi. Disa titullarëve, disa personaliteteve shtetërore e partiake, qëndrimi im tash disa muaj nuk po u pëlqen. Reagimet ndaj meje kanë filluar prej muajsh, por unë kam heshtur. Kam dëshiruar t’i zgjidh në gjuhën e mirëkuptimit, në gjuhën e bashkëpunimit, për të evidentuar se lufta që bëj unë nuk është luftë për Zef Brozin, por është luftë për demokracinë e vërtetë në Shqipëri, për të mbrojtur idealet e Lëvizjes së Dhjetorit dhe për të mos shkelur mbi to për hir të karriges. Dua të sqaroj këtu se kur kërkonte Berisha të më fuste në politikë unë nuk kisha dëshirë të punoja për dy arsye. Së pari, jam në gjendje jo të mirë ekonomike dhe ende nuk kisha filluar jetën familjare. Me ato para pedagogu e dija që as muajin nuk e shtyja, por mendoja t’i futesha avokatisë, krahas profesionit fisnik të profesorit të Fakultetit të Drejtësisë dhe njëkohësisht të kontribuoja për demokracinë si jurist në hartimin e legjislacionit të ri. Së dyti, personalisht si njeri reagoj ashpër ndaj padrejtësive, kushdo qoftë, ministër, zëvendësministër apo edhe më larg. Nëse sot, dikujt i kam prishur planet e korrupsionit dihet se kush janë këta pushtetarë dhe nuk ka nevojë të përmend emra. Dihet kujt i djeg qëndrimi im absolutisht i prerë në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër dinjitetit të organeve të drejtësisë dhe pushtetit gjyqësor.
A ka dijeni Presidenti i Republikës S. Berisha për këto presione që bëhen ndaj jush dhe nëse po, a mendoni se mund të përballoni edhe Presidentin?
Unë nuk e di se ç’qëndrim do të mbajë Presidenti. Unë e kam vlerësuar atë si lider i lëvizjes studentore si dhe për kontributin që dha për vendosjen e demokracisë. Do ta vlerësoja më shumë nëse ai do t’i qëndronte korrekt idealeve të Dhjetorit. Nëse ai do të jetë i vendosur në luftën reale kundër korrupsionit, duhet të marrë masa urgjente për pastrimin e aparatit shtetëror nga mafia e zezë që ka mbërthyer disa hallka të shtetit të sotëm.
Ju keni botuar një intervistë para referendumit ku thoshit se nuk i besonit besës që po kërkonte Berisha në popull. Fatmirësisht fjala doli. Por, mund të mos t’i ketë pëlqyer Berishës. A keni marrë ndonjë “përgëzim”?!
Unë nuk e di nëse i kam pëlqyer apo jo Presidentit, por nëse Presidenti çmon me ndershmëri pavarësinë e mendimeve duhet të dijë të ruajë pozicionin që i kërkohet sot.
Përsëri të kthehemi tek incidenti i ditës së djeshme. A ka të drejtë një zëvendës prokuror i përgjithshëm të ushtrojë kontroll ndaj makinës, shoferit dhe shoqëruesit si dhe vetë Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, i cili dihet ligjërisht se ka imunitet?
Është një absurditet. Për më tepër një turp, kur në botë para Kryetarit të Gjykatës së Lartë përulen me respekt nga Presidenti e me radhë. Ndërsa në Shqipëri, Kryetari i Gjykatës së Lartë (mbase për motive politike) prej 6 muajsh injorohet, injorohet protokolli qeveritar, injorohet nga Presidenti i Republikës, lihet si në harresë, si në hije. Janë duart që duan t’i kyçin gojën së vërtetës. Unë jam ballëhapur para çdo qytetari që ka patur çështje gjyqësore, para çdo qytetari që ka lexuar publikimet e mia.
Kam përshtypjen se lufta ndaj jush vjen nga një kamp i fuqishëm me pushtet. A jeni i sigurt se mund t’i mposhtni ata apo do të tërhiqeni?
Lufta ndaj Zef Brozit është një luftë politike dhe cdo ditë po rritet e shkallëzohet drejt një integrimi, integrim që kap një bashkëpunim në hallka të larta të shtetit. Këtë bindje e kam sepse provokimet që kanë filluar ndaj meje nuk janë të djeshme. Ato janë të hershme. Edhe para 3-4 ditësh, për motive nga më abësurdet Z.Dervishi, Zv/Prokuror i Përgjithshëm ndalon dhe urdhëron që të hiqen perdet nga vetura e Kryetarit të Kasacionit!!! Ka një protokoll qeveritar ku makina me perde mbajnë titullarët. Pra gjithshka është sipas rregullit. Por “perdja e makinës” së Brozit do të shërbejë si perde e intrigave që po kurdisen ndaj meje.
A kanë ndonjë fakt kundër Zef Brozit ata që po intrigojnë?
Unë e kam deklaruar me kohë se kush ka fakte le t’i paraqesë ato në Prokurori dhe unë me dinjitet do t’i përmbys ato fakte të sajuara. Por unë po kërkoj të vë para përgjegjësisë të gjithë mafiozët e rangut të lartë.
Ju thatë se do të vini para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë filluar të abuzojnë. Konkretisht a i keni shkelur në kallo ndonjë hallke të lartë?
Padyshim që po. Unë kam korrespondencën zyrtare me të gjitha institucionet dhe titullarët e organeve të larta shtetërore. Në këtë korrespondencë kam shpallur pikëpamjet e mija të mosndërhyrjes së askujt në punët e pushtetit gjyqësor. I kam shpallur pikëpamjet e mija në një letër drejtuar Ministrit të Rendit Publik më 25 Prill 1994 dhe për dijeni Presidentit të Republikës për sa i përket shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut në mjaft raste nga ana e forcave të policisë. Kam denoncuar mendësinë e Ministrisë së sotme të Rendit Publik, e cila është e ngjashme si mendësi me Ministrinë e Brendshme të dikurshme.
A mendoni se Ministri i Rendit ka mbështetjen e Berishës dhe a mund t’ia dilni Ministrit Musaraj, i cili përveç postit mund të ketë përkrahje më lart?
Ministri Musaraj, është e mira e demokracisë, mundësisht sa më urgjent të largohet nga ajo detyrë. Ministri Musaraj, me nipin e tij, zv/Prokurorin Dervishi e në bashkëpunim me disa qeveritarë të tjerë po mundohen t’i japin ngjarjes së ditës së enjte një drejtim tjetër. Por mendoj se nuk do ta arrijnë kurrë, sepse dëshmitarët e ngjarjes janë polici i shërbimit që di krejt të vërtetën, janë prokurorë apeli që kanë ndërhyrë për të ndaluar vrasjen. Janë Kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Prokurori i Përgjithshëm dhe mjaft prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Përgjithshme. Pra, për fat të mirë incidenti ndodhi përpara Prokurorisë së Përgjithshme dhe jo në rrugë ku Ministria e Rendit mund të bënte ligjin dhe mund të manipulonte e falsifikonte. Natyrisht manipulimet po vazhdojnë. Autorë janë Ministri i Rendit, Fatos Dervishi e të tjerë. Uroj që mos të jenë edhe hallkat më të larta të shtetit. Në të kundërtën unë do të bëj denoncimin e madh publik për këdo. Nëse Zef Brozit i ndodh diçka, po ju them që sot se autorët e krimit janë Musaraj me shokët e tij. Pra, që tani e di se nga mund të më vijë e keqja, që tani di të ruhem nga e keqja.
Si ka mundësi që për këtë ngjarje e për të tjera Zef Brozi nuk thirret nga Presidenti, ndërkohë që të tjerë janë orë e çast në zyrën e tij?
Komenti im do të ishte tragjik, i dhimbshëm jo për Zef Brozin, por për Presidentin, për Qeverinë, për demokracinë. Unë nuk mund t’i imponoj një Presidenti të më presë, por ju sqaroj se kam 5 muaj që i kam takuar takim dhe ai ma shtyn takimin, nuk më pret. Kam kërkuar të mblidhet Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe të bëjë emërimet e gjyqtarëve se kemi nevoja dhe përsëri heshtët.
A i keni informuar kolegët tuaj të Kasacionit?
Unë edhe dje mblodha kolegët e mi, të cilët i informova për atë që ngjau dje, për ato që kanë për të ngjarë, për ato që bëhen me përgjime telefonatash ndaj Z. Brozit. U thashë se unë do të mbroj dinjitetin tim dhe të Gjykatës së Kasacionit. Jam krejt i vendosur në këtë. Ju thashë dhe do t’i them opinionit publik se mjaft është intriguar për të gjetur mënyra për ta hequr Z. Brozin pas Kushtetutës nga detyra. E megjithatë, ndonëse i dija këto, e mbështeta projektkushtetutën dhe e mbrojta atë, pavarësisht nga vërejtjet që i bëra edhe publike.
Në rast se nga PD dhe nga grupi i saj parlamentar kërkohet në forma të ndryshme dorëheqja juaj ose shkarkimi juaj, ju si do reagonit?
Për aq kohë sa unë jam i vendosur në luftën për të mbrojtur të drejtat e shprehura për të gjithë shqiptarët, për aq kohë unë kam mbështetjen e shumicës, kam mbështetjen e të gjitha partive politike që duan demokraci të vërtetë, kam mbështetjen e deputetëve. Pushteti është i përkohshëm, ndaj edhe ata që më luftojnë janë të përkohshëm.
Intervistoi: Nikoll Lesi

SHKARKO APP