Zef Mazi: Po punohet të mbyllet brenda 6 muajsh konferenca ndërqeveritare
Kryenegociatori i Shqipërisë në BE, Zef Mazi, ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali dhe ministrja për Bashkimin Europian dhe Kushtetutën, Karoline Edstadler kanë mbajtur një konferencë të përbashkët. Mazi tha se po punohet nga Shqipëria dhe vendet e BE-së që të mbyllet sa më mirë brenda 6 muajsh konferenca e parë ndërqeveritare. Në fjalën e tij Mazi tha se Shqipëria ka shprehur vendosmëri për të vijuar rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Jemi para vendimeve shumë të rëndësishme të unionit, ku ndër të tjera është edhe konferenca e parë Ndërqeveritare. Po punohet nga Shqipëria dhe vendet e BE-së që të mbyllet sa më mirë brenda 6 muajsh. Me ministren diskutuam edhe për reformën në drejtësi”, tha Mazi. Kurse Edstadler ka thënë se Austria do të mbështesë integrimiin e vendeve të Ballkanit Perëndimor por këtu shtoi se Shqipëria duhet që të vazhdojë reformat që ka nisur.
”Është kënaqësi që jam në Shqipëri dhe të shoh vullnetin e vendit për të ecur me reforma, që të hedhe hapa të rëndësishme drejt BE-së. Austria e ka përparësi që të mbështesë procesin e integrimit për Ballkanin Perëndimor. Është e nevojshme që ju të vazhdoni reformat tuaja. Ka shumë për të bërë. Ne do bëjmë maksimumin që të bindim miqtë tanë edhe në BE, që të mos bllokojnë procesin integrues për Shqipërinë”, tha ajo.