Zelensky ka hapur mortin e duhet të pres këdo, merret edhe me sigurinë e ”vizitorëve”

Nga: Alban Daci

Zelensky, ka hapur mort tashmë prej 4 muajve! Përveç, se çdo ditë duhet të qaj bijtë e Ukrainës që bien herokisht me një shembull të pashoq për sakrificën më të madhe njerëzore, rënien për Atdhe, përveç se duhet të merret me jetimët e lënë ngjallë, por me prindër të vrarë, përveç se duhet të merret me të uriturit dhe të mbeturit poshtë gërmallave, me ata që largohen nga terrori dhe lufta, ai është i detyruar të pres këdo që i shkon tek porta për mortin e tij!

Ai, siç e ka zakoni njerëzor, në mort është i detyruar të pres këdo, ata që janë dashamirës të vërtetë, që janë të gatshëm ta ndihmojnë e t’i ofrojnë ndihmë, ata që shkojnë për të shuajtur kuriozitetin, ata që e përjetojnë dhimbjen dhe e ndajnë njësoj me të, ata që udhëtojnë për të treguar kostumet që kanë veshur dhe për të dëshmuar se kanë këpucë të reja! Ai, është në mort dhe është i detyruar, t’i pres të gjithë, siç e don zakoni njerëzore! Ndonjëherë, për hir të zakonit njerëzor të mikpritjes, është i detyruar të pres këdo e të humb nga koha e tij e shenjtë dhe e dobishme!

Si në çdo mort, jo të gjithë janë dashamirës, jo të gjithë janë të sinqertë dhe ndajnë njësoj dhimbjen që ke, por ka edhe nga ata që në ditën e fatkeqësisë, dhimbjes më të madhe, merren me thashethemet nëse shtëpia ishte e pastër, nëse kafeja ishte bërë mirë apo nëse familja ishte e pasur apo e varfër!

Kështu, edhe Ukraina, është prej muajsh në një mortë, sepse është në luftë dhe i zoti i shtëpisë është Presidenti, Zelensky! Ukraina, është bërë përtej, dhimbjes së madhe, edhe një mundësi që lider të ndryshëm të Botës, ashtu si gratë e thashethemeve, ta përdorin për egot e tyre apo për të demonstruar madhështi ndërkombëtare edhe kur në fakt, ata janë lider të këqij në shtëpitë e tyre, Atdheun e tyre!

Zelensky, edhe pse po kalon momente dramatike në një luftë reale, është i detyruar të merret edhe me sigurinë e gjithfarë lloji që i shkon në shtëpi duke i trokitur për ta ngushëlluar! Kjo e fundit është vlerë e rëndësishme njerëzore, por nuk mjafton, sepse Ukraina ka nevojë për mbështetje reale dhe po ashtu për ato vende që kanë peshë e forcë që ta bëjnë një gjë të tillë!

Si në çdo mort, edhe në atë të tijën, Zelensky nuk mund t’i njoh të gjithë ata që i trokisin në derë, por secili prej tyre mund të mbahet mend për aksionet konkrete dhe për peshën reale që ka për ndihmuar popullin e Ukrainës që po dëshmon qëndresë të pashoq në të drejtën e tyre legjitime për të jetuar në tokën e të parëve, në shtëpitë e tyre dhe është po ashtu e drejta e tyre të jetojë në liri dhe ashtu siç ata e mendojnë të drejtë dhe të pavarur!

SHKARKO APP