Zelensky: Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar Ballkanin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi shtetet e Ballkanit Perëndimor se Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën.

“Samiti i sotëm është bashkim dhe mendoj se shtetet e Ballkanit sot duhet të bëhen bashkë. Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën”, tha Zelenksy gjatë një konference për media, pas Samitit për Ukrainën të mbajtur në Tiranë të Shqipërisë.

“Rusia nuk do të ndalet. Rusia nxjerr përfundime nga gabimet që i ka bërë në territorin e Ukrainës dhe do të destabilizojë edhe më tej, do të përdorë taktika tjera”, shtoi ai.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pranuar se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus.

“Ajo çfarë po ndodh atje [Ukrainë] mund të përsëritet në mënyra të ndryshme”, tha Rama.

Sipas Ramës, lufta mund të ndodhë, pavarësisht sa e pamundshme mund të duhet dhe që “nuk duhet luajtur me zjarrin”.

“Nëse e humbasim këtë qartësi, rrezikojmë të hyjmë në fazë të errët”.

Gjatë konferencës për media, Rama bëri thirrje që shtetet të vazhdojnë ndihmën për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022.

Ai tha se çështje e ndihmës për Ukrainën nuk duhet të përdoret për çështje të brendshme politike në shtete të kryshme.

Rama tha se është e vetëdijshëm që shtetet sikurse Shqipëria, nuk mund të plotësojnë nevojat e mbrojtjes që ka Ukraina, andaj ai u bëri thirrje shteteve të mëdha dhe të pasura që të ndihmojnë Kievin.

Sipas tij, pretendimet se ndalimi i dhënies së armëve për Ukrainën do të sjellë paqen “nuk është vetëm cinike, por edhe absurde sepse ju nuk ndalin luftën duke çarmatosur viktimën. E ndalni luftën duke ndalur keqbërësin”.

“Ukraina meriton të mbështetet dhe ndihmohen me të gjitha mjetet e nevojshme për të rezistuar dhe të sigurohet që çdo paqe që do të dalë nga kjo luftë do jetë paqe e drejtë, e mbështetur para së gjithash në planin 10 pikësh të Zelenskyt, të cilin e mbështesim dhe duam të diskutohet nga të gjitha shtetet”, tha Rama gjatë konferencës për media me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në samit është diskutuar për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

“E kemi bërë shumë të qartë, jam shumë krenar të them se nuk është vetëm Qeveria, Parlamenti dhe institucionet, por i gjithë kombi, gjithë popullata e vendit tonë që është me Ukrainën dhe e mbështet Ukrainën, pa asnjë lëkundje”, tha Rama.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një prononcim për gazetarë se deklarata e rënë dakord në Samitin për Ukrainën që u mbajt në Tiranë, nuk i përmend sanksionet kundër Rusisë e as ndikimin keqdashës rus.

Kjo, sipas tij, u bë e mundur me kërkesë të Serbisë.

“Pjesëmarrësit ranë dakord që ta heqin pjesën për sanksionet dhe ndikimin keqdashës të Rusisë… Jemi informuar se kjo është pranuar. Nuk ka sanksione, nuk flitet për sanksione, nuk përmendet ndikimi keqdashës rus”, tha Vuçiq.

Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, por ka përkrahur rezoluta në Kombet e Bashkuara që kanë dënuar pushtimin rus.

Ndërkaq, në fjalën hapëse në samit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se udhëheqësi rus, Vladimir Putin, po përdor diktate të shkuarës për të bërë që shtetet të veprojnë siç do ai.

Gjatë samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore”, që u mbajt në Tiranë të Shqipërisë, Zelensky tha se Evropa duhet të jetë hapësira ku çdo shtet përcakton fatin e vet.

“Ne kemi parë në të kaluarën që ka pasur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin e kombeve të tjera. Kjo ka ndodhur në Ballkan, Evropën lindore dhe pjesë të tjera të Evropës. Tani Putini dëshiron ta bëjë këtë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që ai bën, është për të detyruar kombet e tjera të bëjnë siç do ai. Prandaj është e rëndësishme për të gjitha shtetet tona që Putini, regjimi i tij, të humbasë, sepse dështimet e tij janë siguria jonë e përbashkët”, tha ai.

Udhëheqësi ukrainas falënderoi shtetet e Evropës juglindore për ndihmën e ofruar për shtetin e tij në luftë, por edhe në integrimin evropian. Ai tha se të gjitha shtetet në rajon, që ndajnë vlera evropiane, duhet të integrohen.

Ai tha po ashtu se të gjitha shtetet në rajon, që kultivojnë vlerat evropiane, duhet të integrohen. “BE-ja dhe NATO-ja i kanë ofruar Evropës epokën më të gjatë dhe më të fortë të sigurisë paqes dhe zhvillimit ekonomik dhe ne meritojmë që në fund të jemi pjesë e komunitetit evropian dhe euroatlantik”, tha ai.

Duke folur për mbrojtjen, Zelensky tha se është i interesuar të rrisë bashkëpunimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçmas në fushën e bashkëprodhimit të municioneve.

“Ne shohim se problemet me municion po ndikojnë në situatën në fushëbetejë [në Ukrainë]. Ne jemi të interesuar për bashkëprodhim ne ju dhe me të gjithë parnerët e tjerë. Ekipi ynë qeveritar do të prezantojë detajet për mbajtjen e një forum të industrisë së mbrojtjes së Ukrainës dhe Ballkanit në Kiev, apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja”, tha ai.

Në fjalën hyrëse, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u bëri thirrje shteteve demokratike të rajonit, por edhe atyre më të pasura që të vazhdojnë të mbështesin financiarisht dhe ushtarakisht Ukrainën, sepse sipas tij, prej kësaj mbështetje varet mbijetesa e Ukrainës.

“Mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është çarmatosja e viktimës për ndalja e agresorit. Shpërblimi i një agresori që pushton territorin e një shteti sovran nuk sjell paqe, por hap rrugën për më shumë luftë”, tha Rama.

Rama tha se Putin nisin luftën e paprovokuar ndaj Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, sepse ai ishte “i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake”.

“Prania juaj këtu është përkujtues se ai ka dështuar, pavarësisht fuqisë ushtarake dhe propagandës toksike, Rusia neoimperialiste ka dështuar të shtypë Qeverinë ukrainase të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ka dështuar të shtypë vullnetin e ukrainasve që të jetojnë në një shtet të lirë, pavarur dhe demokratik. Ka dështuar që të heshtë të vërtetën”, tha Rama.

Në samitin në Tiranë liderët do të diskutojnë për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus.

Samiti po mbahet me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe në të po merr pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në samit po marrin pjesë edhe udhëheqës të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para nisjes së samitit, tha se në të do të flasë për hapat konkretë që po ndërmerrë shteti për të mbështetur Ukrainën.

Ajo u pyet se nëse do të kërkojë nga presidenti Zelensky që të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për liri”, tha Osmani.

“Jam e bindur që ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, shtoi ajo.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para nisjes së samitit tha për gazetarët se ai ka disa propozime për deklaratën që pritet të dalë nga ky samit, por nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse Serbia planifikon të vendosë sanksione kundër Rusisë.

 

SHKARKO APP