Zero roaming me Ballkanin në Europë

Nga Genc Pollo

Në samitin e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt javën e shkuar në Tiranë, një njoftim dallonte nga të tjerët, pasi nuk ishte i natyrës së përgjithshme e nuk projektohej në kohën e ardhshme: Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Várhelyi, deklaroi se duke filluar nga 1 korriku tarifat roaming në Ballkanin Perëndimor do të jenë zero. Pra, përdoruesit e telefonave celularë nuk do të paguajnë më tarifa shtesë të kripura kur të telefonojnë nga një shtet tjetër i rajonit. Siç tha z. Várhelyi, kjo u arrit në kuadrin e Tregut të Përbashkët Rajonal (Common Regional Market) të rajonit (ky i fundit është një produkt kryesor i Procesit të Berlinit të nismuar në v. 2014 nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel). Rol të veçantë, krahas Komisionit Europian, kishte luajtur edhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council) me seli në Sarajevë, i cili kishte koordinuar masat ndërmjet autoriteteve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Roaming zero ka impakt të madh tek udhëtarët në rajon, pasi celulari i sotëm nuk është telefoni i djeshëm, por zyrë personale multifunksionale që punon vazhdimisht.

Në vitin 2010, asokohe ministër përgjegjës për Telekomunikacionin, ndiqja me interes debatet në Parlamentin Europian për të realizuar roaming zero në të tërë Bashkimin Europian. Një grup eurodeputetësh, njëri syresh mik i imi, e kishte marrë me pasion këtë nismë. Ata synonin të dëshmonin se BE nuk ishte një konstrukt burokratik i largët e i ftohtë për popullsinë; eliminimi i tarifës roaming për telefonat celularë ishte rast ideal që qytetarët nga Bullgaria në Irlandë ta ndienin në kuletë dobinë e Unionit. Akordi midis Parlamentit, Komisionit e Këshillit (shtetet anëtare) u arrit, tarifa roaming u reduktua vit pas viti dhe në qershor 2017 u bë zero.

Nismën e eurodeputetëve e gjeta frymëzuese dhe mendova se një masë e tillë mund të merrej edhe me fqinjët e Ballkanit Perëndimor; në një hap të dytë mund të realizohej midis rajonit tonë e Bashkimit Europian. Specialistët më përgatitën një memo fillestare me hapat ligjore e pasojat ekonomike. Në vijim i shkriva Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për të organizuar një konsultë për këtë çështje mes gjashtë ministrave homologëve ballkanas. I vetmi që m’u përgjigj, edhe në rrugë dypalëshe, duke u shprehur dakord në parim, ishte kolegu kosovar Besim Beqaj, një ofiqar kompetent e aktiv. Nga Beogradi, Shkupi, Podgorica e Sarajeva pata vetëm heshtje. Kam vrarë mendjen për të shpjeguar mospërgjigjen dhe nuk besoj se mungesa e ambicies ishte një arsye; madje edhe lobimi kundër që mund të ndërmerrnin kompanitë celulare (ato humbitnin një fetë nga fitimi) nuk më dukej deciziv. Më shumë ishte mosdëshira për të pranuar një propozim të Tiranës nga palë me paragjykime të vjetra e me hundë përpjetë.

Procesi i Berlinit që e mundësoi marrëveshjen fillestare për roamingun në vitin 2015 ishte një nismë që vinte nga të “Mëdhenjtë” jashtë Ballkanit. Dhe si e tillë pranohet kollaj në një rajon që ka qenë sunduar apo kontrolluar nga perandori e fuqi të mëdha jovendase. E ku, edhe pas largimit të perandorive, tipikisht askush nuk bëhet vetë profet në fshatin e tij; maksimumi mund të pranohet me gjysmë zëri si i tillë vetëm nëse emërohet nga dikush i madh e i largët.

Francezët e gjermanët kapërcyen një sfidë të vështirë pas Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse emancipimi nga perandoria nuk ishte pengesë historike për ta, sentimenti popullor negativ ndaj njëri-tjetrit ishte barrierë e lartë për të themeluar një paqe të qëndrueshme. Liderët e tyre si De Gaulle e Adenauer asokohe gjetën vizionin, kurajën e forcën të kapërcenin këtë pengesë e të farkëtonin marrëveshje që u bënë bërthama e paqes e miqësisë reciproke, por edhe baza e Bashkimit Europian. Ballkani së fundmi nuk e ka pasur një fat të tillë: kur Rama e Vuæiè gjashtë vjet më parë prezantoheshin në Europë si rimishërim lokal i De Gaulle e Adenauer, ata në mendje nuk kishin dhe aq paqen e bashkëpunimin afatgjatë; më shumë synonin që Europa e bota të mendonte se nuk ishin sherrxhinj e pastaj t’i linte rehat e të mos u përzihej me standarde e vlera në çështje të pushtetit e të pasurisë. Në të vetmin rast kur bashkëpunimi i kësaj dysheje rezultoi domethënës, ai u bazua në parime jo europiane dhe e rrezikoi seriozisht integritetin territorial të Kosovës.

Po ashtu edhe nisma e Minishengenit, e cila u deklarua si fëmijë i frymëzimit nga “katër liritë europiane”, mund të kishte qenë fare mirë shtrati për heqjen e roamingut. Por Minishengeni jo thjesht pse përfshiu vetëm gjysmën e rajonit, por kryesisht ngaqë shërbeu për propagandë politikopersonale e jo për substancë reale, nuk realizoi projekte shoqërisht të dobishme si roaming zero e të ngjashme. E solli destini i historisë që gjëra të tilla të mund të realizohen vetëm brenda një kornize europiane. Për këtë nuk lipset të ketë ego të lënduara apo komplekse e pesimizëm. Për lojtarë konstruktivë në Ballkan, qofshin shtetërorë ose jo, ka hapësirë të mjaftueshme brenda kësaj kornize. Mjafton të kenë vullnet të luajnë. Hapi tjetër do të ishte roaming zero midis Ballkanit Perëndimor e Bashkimit Europian. Me shumë interes për shqiptarët e ballkanasit që me celular në xhep vizitojnë Italinë, Greqinë, Gjermaninë e më gjerë.

*Ish-ministër e deputet

SHKARKO APP