Zëvendësohet flamuri britanik me atë shqiptar? Flet presidentja Von der Leyen
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, iu përgjigj dhe një pyetje të drejtpërdrejtë të gazetarëve për çështjen e integrimit të Shqipërisë, se nëse BE është e gatshme të zëvendësojë flamurin britanik me atë shqiptar.
Zyrtarja e lartë e BE-së u shpreh se sipas saj është momenti i duhur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të hapin bisedimet pasi sipas saj të dy vendet i kanë përmbushur detyrimet dhe tashmë është radha e Unionit Europian që të jetë i besueshëm.
“Me të njëjtin intensitet sikurse punuam për këtë konferencë do të punojmë për të shtruar rrugën e Shqipërisë drejt nisjes së bisedimeve. Do të thoja që janë disa hapa për të cilat duhet të punojmë ende, por tanimë kemi një metodologji të re që është e pranueshme, moderne, më e besueshme dhe jep kredibilitet dhe po punojmë mbi raportin për Shqipërinë. Ndaj puna jonë e radhës është që të bindim gjithkënd që në opinionin tim është momenti më i duhur që Shqipëria dhe Maqedonia të fillojnë bisedimet për anëtarësim. Ata i kanë mbajtur premtimet si vende dhe i kanë bërë të gjitha gjërat që iu kemi kërkuar dhe tani na takon ne që të jemi të besueshëm”.