Zgjedhje më 1 mars për Primaret në PD, zbardhen debatet në Këshillin Kombëtar. Drejtuesit Politikë do jenë te lista e sigurtë

Demokratët do t’u drejtohen kutive të votimit në 1 mars për të zgjedhur kandidatët për deputetë. Ky ishte vendimi Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i mbledhur pasditen e së mërkurës.

”Primaret do të jene kualifikuese. Do të vendoset një prag për çdo qark në bazë të numrit të anetarëve të partisë, të votave që jane marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare si edhe të zgjedhjeve të brendshme në parti”, tha Flamur Noka, sekretar i Përgjithshëm i PD.

Numri i votave në këtë garë nuk do të jetë elementi i vetëm për një kandidat për të qenë në listën shumëemërore nga e cila do të zgjidhen deputetët për legjislaturën e ardhshme. Ndryshe nga herët e tjera ku çdo anëtar ka pasur mundësi të zgjedh disa kandidatë, në këtë proces çdokush do të votojë vetëm për një emër.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve në 1 mars pritet që ketë ketë një mbledhje kryesie për të përcaktuar renditjen përfundimtare të kandidatëve në listën që do të dorëzohet në KQZ nga e cila do të dalin dhe deputetët e rinj. Nga ajo që ndodhi në Këshillin Kombëtar të PD u kuptua se drejtuesit politikë te 12 qarqeve do të jenë te lista e sigurtë për kandidatë për deputetë.

Debatet

Myslym Murrizi: Jam dakord me statutin për primaret, por duhet të jenë të hapura. Përderisa drejtuesit e degëve japin dorëheqjen, pse ndryshe do të duhet të ndodh për drejtuesit politik? Askush s’mund të na ndajë, në disa politikanë inferior e disa superior. Bëjini kombëtare primaret, është vrastare kjo formulë. Aq më tepër më një votë. Mos keni frikë nga lobimi i brendshëm. Unë do hyj në primaret e Tiranës dhe dua të jem në lista te hapura. Duhet te shihni dhe koalicionet. Ku është sot Shpëtim Idrizi? Duhet të ketë kujdes përzgjedhja e aleateve.

Bujar Leskaj (Drejtuesi politik i Vlorës): Duhet të votohen edhe drejtuesit politik. Ose t’i kalojnë votimit në qark. Kryetarët e degëve nuk duhet të jepnin dorëheqje pasi ata janë zgjedhur me votë. Nuk jam dakord me datën 1 Mars për mbajtjen e primareve. Kjo pasi këtë kohë deri në 4 Mars jemi të angazhuar me votën e Diasporës.

Sali Berisha, kryetar i PD: Kemi kaluar një kalvar, por ia dolëm me sukses të plotë. Nga një parti që bëri gjithçka për të na asgjësuar, jemi sot një parti që do të fitojmë zgjedhjet. Na morën flamurin, logon, nuk regjistruan emrin e Kryetarit të Partisë Demokratike në fletën e votimit. Por ne arritëm të bashkoheshim. Kishim probleme në grupin parlamentar, por ky bashkim u bë në betejë. Deputetët u bashkuan në mosbindje civile në Kuvend, nga më të fuqishmit. 45 vetë ishim, por e mbajtëm peshën e qëndrueshmërisë dhe të rezistencës. Nuk pranova ndryshimin e emrit të Partisë kur nuk na jepnin flamurin dhe simbolet tona.

Bashkimi ynë trembi qeverinë. Ky bashkim është shumë i rëndësishëm, është shumë i sinqertë. Unë jam i drejtë me ju. Bashkimi ishte marrëveshje xhentëlmenësh e cila nga Sali Berisha nuk thyhet kurrë. Për këtë arsye, kur caktuam drejtuesit e qarqeve sipas një tradite 25-vjeçare të PD, caktuam si Belind Kelliçin ashtu edhe Gjekmarkajn, Boçin, Bardhin etj. Besoj se kjo ishte e drejtë. Kjo përfaqësonte bashkimin tonë. Primaret thotë statuti, por kryetarët e qarqeve jam përpjekur t’i përzgjedh persona të votuar, me eksperiencë elektorale dhe aktivitet publik. I kam caktuar të barabartë. Nuk kërkuan asnjë kusht kur u bë bashkimi. Nuk mund të pranoj që ata të mos jenë kryetarë qarku. Ju ftoj ta miratoni këtë, edhe pse ka një devijim nga Statuti.

SHKARKO APP