Zgjedhjet e 11 majit, OSBE-ODIHR publikon raportin final: Konkurruese, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar
Misioni i OSBE-ODIHR ka publikuar raporin final të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në vijim raporti i plotë:
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por u
mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta. Megjithatë,
kandidatët në përgjithësi patën mundësinë të bëjnë fushatë lirshëm, megjithëse disa raportuan se u
përballën me intimidim. Administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në një mënyrë gjithëpërfshirëse
dhe transparente. Votimi jashtë vendit, i realizuar për herë të parë në këto zgjedhje, u menaxhua mirë,
pavarësisht dakordësimit politik dhe miratimit të vonë të kësaj mase, si dhe disa problemeve organizative.
Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës,
duke krijuar një avantazh të padrejtë për kandidatët që ishin ndërkohë në detyrë. Gjithashtu, pati shumë
akuza për presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike. Për më tepër,
legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga administrata zgjedhore nuk parandaluan
praktikat abuzive. Përqendrimi i pronësisë së mediave, që minon pluralitetin e burimeve të lajmeve, së
bashku me autocensurën mes gazetarëve dhe dominimin e mbulimit mediatik nga dy partitë më të
mëdha, kufizuan mundësinë e zgjedhësve për të bërë një zgjedhje të informuar. Përdorimi aktiv i rrjeteve
sociale nga garuesit amplifikoi diskursin e fortë konfrontues dhe asnjë autoritet nuk u caktua për të
identifikuar përmbajtjen manipuluese të dëmshme. Mekanizmi i ri i koordinimit mes institucioneve për
të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore është një zhvillim pozitiv, por nevojitet zbatim i
mëtejshëm për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme lidhur me praktikat e gabuara zgjedhore. Dita e
zgjedhjeve ishte përgjithësisht e organizuar mirë, por pati shpesh mosrespektim të procedurave dhe
procesi u karakterizua nga një numër incidentesh intimidimi të zgjedhësve dhe ndikimit tek ta, si dhe
mangësi gjatë numërimit të votave lidhur me procedurat dhe transparencën.
Kuadri ligjor ofron një bazë të mjaftueshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, pavarësisht nga
nevoja e vazhdueshme për një reformë të gjerë zgjedhore përmes konsultimeve publike
gjithëpërfshirëse. Mangësitë dhe paqartësitë e vërejtura zvogëlojnë qartësinë e kuadrit ligjor dhe krijojnë
pasiguri në zbatimin e frymës dhe germës së ligjit. Ndonëse disa rekomandime të ODIHR-it dhe
Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës janë adresuar, shumica e rekomandimeve të bëra prej
kohësh, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me përbërjen e komisioneve zgjedhore të niveleve më
të ulëta, raportimin e ndërmjetëm mbi financimin e fushatës, dhe sigurimin e një klime të favorshme
mediatike, si dhe me heqjen e përgjegjësisë penale për shpifjen, nuk janë adresuar, duke treguar
mungesë të vullnetit politik për reforma gjithëpërfshirëse.
Parlamenti zgjidhet përmes një sistemi të modifikuar zgjedhor me lista të mbyllura dhe lista
preferenciale të kandidatëve, i cili u miratua para këtyre zgjedhjeve. Sipas disa partive më të vogla, ky
sistem favorizon dy partitë më të mëdha dhe kufizon ndikimin e votimit preferencial, duke u dhënë
mundësi drejtuesve të partive që të vazhdojnë të ruajnë një kontroll domethënës mbi përfaqësimin
parlamentar, pjesërisht për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme të partive. Pavarësisht
këtyre argumenteve që disa prej këtyre partive paraqitën para Gjykatës Kushtetuese, Gjykata vendosi
që ky sistem është kushtetues.
Në përgjithësi, përgatitjet teknike për zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë efiçente, transparente, sipas
afateve të vendosura dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
(KQZ). Megjithatë, disa aktorë i perceptuan si të politizuar disa anëtarë të KQZ-së. Mbledhjet e KQZsë ishin të hapura për vëzhguesit dhe u transmetuan drejtpërdrejt. Sfidat në organizimin e votimit jashtë vendit ishin të konsiderueshme dhe u vunë re disa probleme me dërgimin me postë të fletëve të votimit;
megjithatë, procesi u menaxhua përgjithësisht mirë. Komisionet e niveleve më të ulëta e menaxhuan
procesin në mënyrë efiçente dhe transparente, pavarësisht disa ndërprerjeve të shkaktuara nga
zëvendësimi me vonesë i anëtarëve të caktuar nga partitë politike, sidomos anëtarëve të qendrave të
votimit në ditët para zgjedhjeve. KQZ-ja bëri përpjekje të përmirësonte akesueshmërinë në qendrat e
votimit për personat me aftësi të kufizuara, por në ditën e zgjedhjeve vëzhguesit raportuan disa probleme
me aksesueshmërinë në disa qendra.
Shqipëria vazhdon të përdorë teknologjinë në zgjedhje përmes përdorimit të identifikimit biometrik të
zgjedhësve dhe pilotimit të votimit elektronik. Votimi elektronik u zhvillua në dy zona, kurse
identifikimi biometrik u përdor në të gjitha qendrat e votimit. Duke ndjekur praktikën e mirë zgjedhore,
KQZ-ja reduktoi varësinë nga ofruesi i pajisjeve të identifikimit biometrik dhe votimit elektronik dhe
përdorimi i teknologjisë u dokumentua dhe menaxhua si duhet në mënyrë transparente dhe të
qëndrueshme. Partitë politike dhe media patën akses të plotë për të vëzhguar funksionimin e pajisjeve
të identifikimit dhe votimit elektronik, por KQZ-ja nuk publikoi informacion lidhur me testimet e
sigurisë, duke përfshirë qëllimin dhe metodat e përdorura në këto testime. Bashkëbiseduesit e MVZ-së
së ODIHR-it shprehën përgjithësisht besim te teknologjia, por pati edhe shqetësime të shprehura lidhur
me këtë kryesisht nga opozita.
Në regjistrin e zgjedhjeve ishin 3.7 milion zgjedhës, duke përfshirë 245,935 zgjedhës të regjistruar
jashtë vendit për të votuar me postë. Subjektet zgjedhore kishin të drejtën të kërkonin kopjen e plotë të
listës së zgjedhësve, gjë që rriti transparencën e procesit të regjistrimit të zgjedhësve, pavarësisht nga
shqetësimet që kjo mund të krijojë lidhur me privatësinë e të dhënave. Zgjedhësve iu dhanë mundësi të
mjaftueshme për të rishikuar informacionin në listën e zgjedhësve, si fizikisht, ashtu edhe online. Sa i
përket votimit nga jashtë vendit, pavarësisht nga fushata e zgjeruar e KQZ-së për informimin e
zgjedhësve dhe vendimi për të pranuar dokumente shqiptare biometrike të identifikimit, të cilave u
kishte kaluar afati i vlefshmërisë, rreth 41,000 kërkesa për regjistrim u desh të refuzoheshin për shkak
të mosparaqitjes së një dokumenti të përshtatshëm që vërtetonte vendbanimin e kërkuesit.
Në përgjithësi, procesi i regjistrimit të zgjedhësve ishte transparent, listat e zgjedhësve u konsideruan
gjithëpërfshirëse dhe përgjithësisht të sakta, dhe zgjerimi i të drejtës për të votuar për të mundësuar edhe
votimin jashtë vendit, shënuan një hap përpara drejt pjesëmarrjes më të madhe në zgjedhje.
KQZ-ja regjistroi tetë parti dhe tre koalicione brenda afatit ligjor dhe miratoi 2,046 kandidatë gjithsej
në një proces gjithëpërfshirës. Verifikimi i kandidatëve çoi në heqjen e 16 prej tyre për shkak të
rekordeve kriminale, gjë që në asnjë rast nuk u kontestua dhe partitë patën mundësinë t’i zëvendësonin.
Detyrimi ligjor i subjekteve zgjedhore për të dorëzuar lista të plota kandidatësh, të hapura dhe të
mbyllura, për të gjitha zonat zgjedhore në të gjithë vendin ndikoi në mundësinë e tyre për të garuar.
Në përgjithësi, fushata ishte e qetë, por pavarësisht nga kjo, u karakterizua nga një diskurs konfrontues
dhe polarizues, veçanërisht online dhe sidomos mes dy partive politike kryesore dhe drejtuesve të tyre.
Kandidatët, në shumicën e rasteve, ishin në gjendje ta zhvillonin fushatën lirisht, por mundësitë e
garimit nuk ishin të barabarta. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe
kapaciteteve institucionale, duke përfshirë edhe bërjen publike vetëm pak kohë para ditës së zgjedhjeve
të faljes së një numri të madh gjobash, dhe zyrtarët e lartë qeveritarë u angazhuan në një numër të madh
aktivitetesh zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse
mes shtetit dhe partisë. Pati pretendime për presion ndaj nëpunësve të administratës publike, raste
intimidimi të mbështetësve të opozitës, si dhe përdorim të rrjeteve të patronazhimit, çka bie ndesh me
standardet ndërkombëtare. Çështje të tjera shqetësuese përfshijnë raportimet për shit-blerje votash,
tentativat për të ndikuar pa të drejtë tek zgjedhësit e marxhinalizuar, si dhe pretendime për ndikim të
elementëve kriminalë në disa parti politike.
Zhvillimi i fushatës në rrjetet sociale nuk ishte i rregulluar me ligj dhe nuk u caktua asnjë autoritet për
monitorimin e saj. Pavarësisht se shumica e partive politike nënshkruan një Kod Etike për Fushatat
Dixhitale, disa kandidatë shpërndanë përmbajtje përçarëse ose manipuluese, ndërkohë që disa llogari
palësh të treta raportohet se përdorën një sjellje të koordinuar joautentike në platformat online për të
amplifikuar sulmet ndaj opozitës. Kandidatët përdorën në mënyrë aktive rrjetet Facebook dhe
Instagram. Ndalimi nga qeveria i platformës TikTok që prej 6 marsit kufizoi mundësitë e disa
kandidatëve për fushatë. Megjithëse KQZ-ja identifikoi shkelje në disa postime të institucioneve
publike, ajo i ndërpreu hetimet në një numër të vogël rastesh, dhe përpjekjet e saj monitoruese mbetën
përgjithësisht të kufizuara sa i përket fushës së mbulimit dhe efikasitetit.
Pjesëmarrja e grave në politikë është rritur vitet e fundit e megjithatë ecja e tyre përpara vazhdon të
pengohet nga barrierat e rrënjosura strukturore, sidomos nga niveli i ulët të demokracisë së brendshme
dhe mundësitë e kufizuara për financim. Megjithëse gratë zënë aktualisht gjysmën e posteve ministrore,
ato mbajnë vetëm 36 për qind të vendeve në parlament dhe mbeten të papërfaqësuara sa duhet në organet
zgjedhore kyçe, me vetëm tre anëtare gra nga 12 anëtarë që ka KQZ-ja gjithsej dhe 31 për qind të
anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), me një numër të vogël grash
në role drejtuese. Gjithsej, 38.5 për qind e kandidatëve të regjistruar ishin gra, duke përmbushur kuotën
prej 30 për qind, gjë që tregon nevojën për një vullnet më të madh politik për promovimin e pjesëmarrjes
së grave.
Që prej vitit 2020, në financimin e fushatës zgjedhore janë bërë vetëm disa ndryshime të kufizuara.
Rekomandimet kyçe të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias vazhdojnë të mbeten të pazbatuara dhe
mangësitë në kuadrin rregullator ndikojnë në transparencën e financimit të fushatës dhe në barazinë e
mundësive për partitë dhe kandidatët. Mangësitë në këtë kuadër, si përjashtimi i shpenzimeve të
kandidatëve nga kufiri i shpenzimeve të partisë apo mosrregullimi specifik për huatë, fushatat online,
shpenzimet e palëve të treta, mund të lënë hapësirë për anashkalim të rregullave. Megjithëse kërkohet
me ligj, asnjë prej kandidatëve nuk bëri publike të dhëna lidhur me donacione apo hua dhe KQZ-ja nuk
mund të ndërmerrte ndonjë veprim për shkak se nuk ka instrumente ligjore për të siguruar
zbatueshmërinë e dispozitave ligjore përkatëse. Mungesa e raportimit të ndërmjetëm dhe shqetësimet
lidhur me efikasitetin e auditimit e ulin edhe më shumë transparencën dhe llogaridhënien në financimin
e fushatës.
Klima mediatike vazhdoi të ishte tejet e kufizuar, ku pavarësia, shumëllojshmëria dhe integriteti i
përmbajtjes së lajmeve u dëmtua nga financimi jotransparent, përqendrimi i pronësisë së medias,
ndërhyrjet në autonominë editoriale dhe ndikimet politike. Mungoi raportimi i pavarur, duke cenuar
rolin mbikëqyrës të medias dhe mungesa e gazetarisë kritike dhe informacioneve solide bënë që shumica
e organeve mediatike të perceptoheshin si mbështetëse të partisë në pushtet. Megjithëse Kushtetuta
mbron lirinë e fjalës, shpifja vazhdon të përbëjë vepër penale dhe gazetarët vazhdojnë të përballen me
çështje gjyqësore për shpifje. Procedurat e emërimit, si për transmetuesin publik, ashtu edhe për
rregullatorin e mediave audiovizuale nuk garantojnë pavarësinë de facto. Kodi Zgjedhor nuk parashikon
mbulim të barabartë të fushatës në edicionet informative për partitë joparlamentare. Në televizionet e
monitoruara nga MVZ-ja e ODIHR-it, edicionet informative u dominuan nga Partia Socialiste (PS) dhe
Partia Demokratike (PD). Mbulimi mediatik që nuk i atribuohej qartazi një subjekti zgjedhor ishte
mbizotërues, por asnjë masë nuk u mor për adresimin e tij.
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) i trajtoi çështjet në mënyrë transparente, në seanca
publike, me pjesëmarrjen e palëve të përfshira. Megjithatë, KAS-i zbatoi një interpretim të ngushtë të
rregullave lidhur me përdorimin e burimeve shtetërore, duke bërë që praktika të tilla të kalonin shpesh
pa u bërë objekt sanksionesh. Kriteret e ngushta statutore lidhur me kush e ka legjitimitetin për t’u
ankuar për një vendim e kufizon mundësinë për zgjidhje ligjore efikase. Struktura e Posaçme kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) luajti rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor, dhe
mekanizmi i ri i koordinimit midis SPAK-ut, KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme mundësoi një shkëmbim më të mirë informacioni lidhur me krimet zgjedhore dhe u pa si një mekanizëm që mund të ketë pasur një efekt frenues.
Megjithatë, disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën pikëpyetje
lidhur me efikasitetin e policisë në trajtimin e krimeve zgjedhore dhe efikasitetin e përpjekjeve kundër
krimit të organizuar të lidhur me politikën.
Kuadri ligjor parashikon të drejta të plota për pjesëmarrjen në politikë të pakicave kombëtare dhe bërja
e fushatës prej tyre në gjuhën e vet lejohet me ligj. Sipas disa partive politike të pakicave, detyrimi ligjor
për të dalë me kandidatë në të gjitha zonat zgjedhore përbën pengesë për partitë më të vogla. KQZ-ja
prodhoi materiale zgjedhore dhe materiale për edukimin e zgjedhësve në gjuhët e pakicave kombëtare,
por këto ishin të kufizuara dhe nga vëzhgimi nuk u duk se u shpërndanë gjerësisht.
Sipas Kodit Zgjedhor, vëzhguesit e zgjedhjeve kanë të drejtë ta ndjekin procesin në të gjitha nivelet dhe
të drejtën për të caktuar vëzhgues e kanë edhe subjektet zgjedhore. Megjithatë, mungesa e financimit
për organizatat vendase të shoqërisë civile, veçanërisht nga donatorët ndërkombëtare, e kufizoi
mundësinë e tyre për të ndërmarrë një vëzhgim gjithëpërfshirës të këtyre zgjedhjeve, duke ulur nivelin
e mbikëqyrjes së këtij procesi zgjedhor.
Dita e zgjedhjeve ishte e qetë në shumicën e zonave dhe transparente, por me mosrespektim të
procedurave në shumë qendra votimi. Megjithëse procesi i votimit u vlerësua përgjithësisht pozitivisht
në 95 për qind të vëzhgimeve, pati një numër të lartë vlerësimesh negative, kryesisht për shkak të
mangësive procedurale dhe një niveli presioni mbi votuesit. Parregullsitë serioze që u vërejtën
përfshinin një numër të konsiderueshëm incidentesh të frikësimit dhe ndërhyrjes së vëzhguesve dhe
përfaqësuesve të partive në proces, ndikim tek zgjedhësit dhe pretendime për shit-blerje votash. Përveç
kësaj, fshehtësia e votës u komprometua shpesh për shkak të mënyrës së organizimit të qendrave të
votimit, mbipopullimit dhe ndërhyrjeve. Më shumë se gjysma e qendrave të votimit të vëzhguara nuk
ishin të përshtatshme si duhet për votim në mënyrë të pavarur nga personat me aftësi të kufizuara.
Votimi elektronik në përgjithësi u zhvillua pa pengesa, megjithëse shumë zgjedhës dukeshin të
pafamiljarizuar me procesin dhe disa zyrtarë zgjedhorë nuk ishin të trajnuar si duhet ose nuk ishin të
qartë për rolet e tyre. Transmetimi elektronik i rezultateve nga qendrat e votimit elektronik u anulua,
dhe votat do të dërgohen fizikisht në qendrat e numërimit të votave. Megjithëse numërimi në shumë
vende vazhdoi në mënyrë të rregullt, jo të gjithë vëzhguesit e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të
Zgjedhjeve patën akses të plotë në proces dhe vunë re disa mangësi procedurale dhe një atmosferë
kaotike në disa prej qendrave të numërimit. Vëzhgimi i procesit të numërimit në qendrat e numërimit të
votave vazhdon.
KOHA JONË SONDAZH

