Zgjedhjet e 6 marsit, PS-ja e Shkodër akuzon Voltana Ademin
Dega e Partisë Socialiste në Shkodër, ka hedhur akuza ndaj kryetares në detyrë të Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ku thotë se ka shkelur afatin ligjor të vendosur nga KQZ për publikimin e listave të zgjedhësve për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Zëdhënësi i PS Shkodër, Erion Metushi tha se afati i fundit ishte 27 janari, ndërsa Bashkia Shkodër nuk e ka bërë ende publike këtë listë, ndërkohë që data shënon 28 janar. Ai kërkon gjithashtu bashkëpunimin e palët politike të përfshira në procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për garantimin e zgjedhjeve me standard dhe qytetari.
Postimi i plotë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e datës 22.01.2022 ka miratuar afatet për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie që do zhvillohen me 6 Mars, ku në pikën numër 3 të njoftimit zyrtar për afatet nga KQZ shkruhet: Zyrat e Gjendjes Civile hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 25 Janar 2022.
Ndërkohë që brenda 48 orëve nga përfundimi i përditësimit kryetarët e njësive vendore i miratojnë dhe i shpallin listat sipas nenit 48 të Kodit Zgjedhor. Bashkia Shkoder, që në nisje të këtij procesi është jashtë afateve ligjore. Listat duhet të ishin miratuar dhe shpallur që ditën e enjte datë 27 Janar, por dhe pas 24 orëve ky detyrim nuk është përmbushur.
Partia Socialiste Shkodër i bën thirrje znj. Voltana Ademi që të bëjë publike menjëherë listat e zgjedhësve dhe të mos bëhet pengesë, në mbarëvajtjen e këtij procesi. Gjithashtu ftojmë institucionet dhe palët politike të përfshira në procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kreun e bashkisë Shkodër, të jenë bashkëpunuese dhe bashkëvepruese në garantimin e zgjedhjeve me standard dhe qytetari.