”Zgjedhjet e ardhshme më shumë se kurrë politike”, Rama nga Durrësi: Të mos humbasim shansin historik për në BE
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi pasditen e kësaj të enjte me strukturat e Partisë Socialiste në Durrës, theksoi rëndësinë vendimtare të momentit aktual për rrugën europiane të Shqipërisë. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se vendit i është hapur një mundësi reale për anëtarësim në BE, një shans që sipas tij nuk ka qenë kurrë më parë kaq konkret. Ai nënvizoi edhe se Shqipëria duhet të veprojë me shpejtësi për të mos humbur këtë dritare historike.
“Sot Shqipëria duhet të vrapojë për të mos e lënë të mbyllet atë derë që na është hapur. Na është hapur një derë që s’ka qenë kurrë realisht e hapur për ne. Na kanë thënë gjithmonë: ‘ne ju duam këtu me ne, do vijë një ditë, po punoni”,-tha Rama.
Kreu i qeverisë vuri theksin tek rëndësia e zgjedhjeve të ardhshme, duke i cilësuar ato si vendimtare në aspektin politik dhe jo thjesht si procese të zakonshme vendore. Sipas tij, konfirmimi i fortë i Partisë Socialiste është kyç për të çuar përpara procesin e integrimit. Rama shtoi edhe se përgjegjësia që bie mbi shumicën qeverisëse është e madhe, duke e krahasuar me një barrë historike për ta çuar vendin drejt përmbylljes së procesit të anëtarësimit në BE.
”Duhet të bëjmë çmos që të mos e lëmë derën të mbyllet pa hyrë brenda dhe që të mos e humbasim këtë shans, duhet të konfirmojmë fuqishëm PS-në në zgjedhjet e ardhshme, që janë më shumë se kurrë zgjedhje politike, nuk janë thjesht zgjedhje vendore. Sot fati e ka dashur që të na bjerë ne në kurriz një gur kaq i madh, për ta ngjitur në metrat e fundit dhe për ta vendosur në majë, për të vulosur prezencën e Shqipërisë në BE”,-tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

