Zgjedhjet e parakohshme/ Noka: E vetmja rrugë, qeveria po e zvarrit por…
Ish-deputeti i PD-së, Flamur Noka, thotë se paketa anti-KÇK bëhet vetëm për show propagandistik. Sipas tij, nëse do të kishte vullnet, ligji anti-mafie është i duhuri për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Noka foli edhe për reformën zgjedhore, duke e vlerësuar si fitore të opozitës uljen në tryezë, pasi sipas tij, reforma tashmë ka dalë nga parlamenti i korruptuar. ”KÇK-ja nis me Kryeministrin dhe të gjithë bandën që është në qeveri. Çfarë duan të bëjnë? Maskojnë inkriminimin e tyre dhe zhytjen në korrupsion, duke sajuar ligje. Në Shqipëri nuk ka mungesë ligjesh për të luftuar krimin. Është miratuar ligji antimafia, i cili është një nga ligjet më të mira në Europë. Ligji antimafie i miratuar nga PD e ka të detajuar mënyrën e gjurmimit të pasurisë dhe për të vërtetuar barrën e provës. Thjesht përpiqen për të bërë një show propagandistik. Sa më shumë ligje sajohen dhe propagandohen aq më shumë duket se është zero vullneti. Nuk mund të luftojnë krimin dhe korrupsionin, pasi i bie ta nisin nga vetja”,-tha në ”A2Cnn”.
6 kryebashkiakë me dosje
Qasja që ka Rama ndaj krimit po jep efektet në të gjitha këto vite. Rama krimin e organizuar e konsiderojnë biznes. Që këtu nis e keqja e gjithçka, pasi tashmë është i detyruar t’i shpërblejë. E gjithë “Rilindja” del pjesë e grupit KÇK. Po dalin të gjithë me probleme dhe kjo nuk është më përgjegjësi personale, ashtu siç Rama thotë. Rama e ka të pamundur të qeverisë vetëm, pasi ka një kontratë të pashkruar me ata që e sollën në pushtet.
Tryeza e përbashkët për reformën zgjedhore
Kauza e opozitës ka qenë dhe do të ngelet largimi i Ramës, si e keqja që ka pllakosur në këtë vend. Ne i kemi të gjitha energjitë të fokusuara këtu. Reforma zgjedhore në 8 kushte të vendosura nga Bundestagu duhet vullneti i qeverisë, ndërsa në një pikë duhet edhe vullneti i opozitës dhe këtë opozita po e tregon. Detyrat e tjera duhet t’i përmbushë qeveria. Tryeza u organizua si pasojë e faktorit ndërkombëtare. Menjëherë pas të përmbyllet reforma është zbatimi, implementimi. Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë për të testuar. Qeveria po bën gjithçka për ta zvarritur.
“Ulja në tryezë, fitore e madhe për opozitën”
PD është sot e fokusuar te kushti i Bundestagut, reforma zgjedhore. Po ashtu, jemi në terren për konsolidimin e strukturave. Ne kemi vitalizuar strukturat për t’u përgatitur për zgjedhje. Nga sondazhet del se PD është fituese dhe kjo është arsyeja pse Rama bën gjithçka për të zvarritur reformën, që të mos shkojë në zgjedhje. Ulja në tryezë ishte një fitore shumë e madhe për ne. Një nga pikat tona ishte delegjitimimi i atij parlamenti. Fakti që reforma doli jashtë parlamentit ishte fitore e PD-së.