Zgjedhjet e së dielës në selinë blu, Balliu: Votën time do ta jap për Bashën
Ish-PD-së, Klevis Balliu thotë se PD-ja duhet të bëjë një analizë për 25 prillin. Nga ana tjetër ai fton demokratët që të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës për kreun e PD-së dhe të mbështesin lidershipin Basha, sepse sipas tij ka bërë shumë sakrifica, ashtu sikurse ishte edhe djegia e mandateve.
”Opozita duhet të bëjë një analizë për 25 prillin, se fajin nuk e ka dikush tjetër dhe ne nuk kemi përgjegjësi. Fushata e kandidatëve në PD ka qenë e rregullt. Retorika politike brenda partisë ka qenë normale dhe zgjedhjet kanë qenë një risi, se në kampin kundërshtar nuk bëhen zgjedhje. Mendoj se procesi do të jetë shumë i suksesshëm. Unë i ftoj të gjithë demokratët që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mbështesin lidershipin e opozitës, sepse ka bërë shumë sakrifica, ashtu sikurse ishte edhe djegia e mandateve”,-tha në ”Ora News”.
Balliu pohoi se votën e tij do ia japë Lulzim Bashës si kryetar, por theksoi se kjo nuk ka shumë rëndësi në fakt, por rëndësi ka bashkimi pas zgjedhjeve. ”Basha zgjodhi një kauzë që e besonte dhe që kombi e besonte. Kjo është faktuar sot se ka një qeveri të lidhur me krimin dhe që zgjedhjet vidhen. Prandaj unë votën time do ta jap për Lulzim Bashën si kryetar. Kjo nuk ka shumë rëndësi në fakt, por rëndësi ka bashkimi pas zgjedhjeve”.