Zgjedhjet/ Këlliçi: Të rinjve u ka humbur shpresa, ja arsyet që çuan në deformimin e zgjedhjeve
Deputeti Belind Këlliçi, në Tiranë për Partinë Demokratike, shprehet se pas rezultatit të zgjedhjeve, shumë të rinjëve u ka humbur shpresa.
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Këlliçi pohon se do bëjë një analizë se ku ka gabuar gjatë fushatës zgjedhore.
“Rezultati është i paimagjinueshëm. Të rinjtë kanë humbur shpresën, 25 prilli ishte shpresa e tyre e vetme. Sigurisht më ngarkon me përgjegjësi, për të parë se ku kam gabuar, duhet të bëjë një analizë të plotë të detajuar të fushatës, te rezultateve që kam marrë. Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme për qytetarët që na votuan dhe deshën ndryshimin.”
Më tej, ai shton se gjithë sistemi duhet ndryshuar, teksa thekson se 83 mijë qytetarë nuk kanë mundur të shprehin vullnetin e tyre, pasi votat kanë dalë të pavlefshme. Sipas tij, rrjedhën e zgjedhjeve e ndryshoi ndryshimi i kodit zgjedhor dhe pengimi i koalicioneve.
“Gjithë ky sistem duhet ndërruar që nga kodi zgjedhor. Ato 83 mijë fletë votimi që janë të pavlefshme dhe ishin barazvlefshme me 7 mandate do kishte ndryshuar të gjithë rrjedhën e zgjedhjeve. Pjesa dërmuese kanë votuar për PD. 83 mijë qytetarë nuk kanë mundur të shprehin vullnetin pasi vota ka dalë e pavlefshme. Ndryshimi i kodit zgjedhor dhe pengimi i koalicioneve, janë mekanizma që çuan në një deformim të ditës së zgjedhjeve.”
Këlliçi, shprehet më tej se të gjithë institucionet ishin vënë në veprim për të blerë votën, teksa shton se në vendin tonë duhet të ketë një kod të ri zgjedhor.
“Unë nuk dija në këtë fushatë ku të ndaja partinë nga shteti. Ishte parti- shteti, gjithçka ishte një mekanizëm, i administratës, e vënë tërësisht në efiçencë të bërjes së votës. Këto zgjedhje na treguan se ka një nevojë jetike për një kod të ri zgjedhor.”
Këlliçi shprehet se duhet të ndryshohet sistemi, pasi sipas tij me qeverisja Rama nuk është zgjidhje për vendin tonë .