Në prag të zgjedhjeve vendore, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehet i gatshëm për një bashkëpunim të gjerë opozitar, duke përfshirë edhe Lëvizjen Bashkë të Arlind Qorit, pavarësisht refuzimit të këtij të fundit. Berisha thotë se dallimet politike dhe qëndrimet kritike ndaj PD-së nuk duhet të përbëjnë pengesë për bashkëpunimin, për sa kohë palët ndajnë synimin për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti. Sipas tij, afrimi me Partinë Demokratike nuk do të thotë domosdoshmërisht humbje votash për forcat e tjera politike.
”Të gjithë ata që e konsiderojnë narkoregjimin të keqen më të madhe të kombit tonë, unë i ftoj: bëhuni liderë, ngrihuni, mos mendoni se humbisni vota po të afroheni me PD-në. Por edhe sikur të humbisni vota, në emër të interesit kombëtar duhet ta pranoni. Jo të paktë ishin ata që më kërkonin mua të ndërmarrim protestat tona. Jo, ishte përgjigja ime e prerë.
Po pse? Po në rast se Flamingot do ta shpëtonin Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe, po ne do festonim me gjithë shpirt. Po ne jemi patriotë, ne vërtet e duam PD-në, por e duam Shqipërinë pakrahasimisht më shumë. Dhe po të shihnim ne se Shqipëria po shpëton prej këtij regjimi, ne do duartrokisnim. Ne shkuam dhe u futëm të gjithë në atë lëvizje, me mijëra e mijëra demokratë për suksesin e saj.
Ndaj dhe sot është koha e bashkimit para këtij rreziku të madh ekzistencial. Më pyesin mua, po si thua ti, edhe me Qorin do bashkohemi? Po, po me të gjithë, asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim. Jo. Dhe nuk të them ndrysho platformën tënde politike, jo, mbaje zotëri. E ke kundër PD, mbaje kundër PD, por hajde njëherë të heqim këtë të keqe, ta kërrejmë këtë të keqe të madhe”, tha Berisha nga Foltorja e Ripërtëritjes në Berat.
