Zgjedhjet në 2025, në PS rikthehen Ruçi dhe Dokle
Në kontrast të thellë me atë çfarë është duke ndodhur në kampin e opozitës e zhytur në përçarjen më të thellë prej krijimit, Partia Socialiste ka ndezur motorët elektoral, në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme të 2025-ës, paçka se ato do të zhvillohen pas një viti.
Blendi Klosi, sekretar i Përgjithshëm i PS, në një intervistë për Top Channel, shpjegon këtë proces me synimin final marrjen e një mandati të katër qeverisës. Të qenurit anëtarë të Asamblesë Kombëtare, automatikisht ka përfshirë në këtë ri-energjizim të partisë edhe emra të njohur të shkëputur nga politika aktive siç janë Namik Dokle dhe Gramoz Ruçi.
“Partia Socialiste është një parti e fortë pasi ka arritur gjatë të gjithë jetës së saj të harmonizojë brezat dhe gjeneratat e kësaj partie. Në Asamblenë Kombëtare ka shumë themelues të ditës së parë.
Kemi shpërndarë detyrat për çdo anëtarë asambleje ku Gramoz Ruci dhe Namik Dokle janë nga anëtarët më të nderuat të kësaj asambleje dhe padyshim janë njerëz që çdo detyrë partie e bëjnë me përgjegjshmëri të lartë mbase edhe me mirë se ne brezi i dytë apo i tretë le të themi i gjeneratës në asamblenë kombëtare”, shtoi Klosi.