Zgjedhjet në 2025, pakt Basha-Berisha për një vend në listë? Boçi zbulon të vërtetën
Partitë në vend kanë ndezur motorrët për zgjedhjet parlamentare në 2025. Bashkimi i të gjitha fraksioneve të Partisë Demokratike para zgjedhjeve të 2025 ishte një nga pikat që nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi e cilëson si tepër të rëndësishme. Një ftesë për bashkimin me PD e drejtuar prej Sali Berishës nuk do të shkojë asnjëherë te Lulzim Basha, pasi sipas Boçit ish-kryetari ka vendosur vetë që të largohet përgjithmonë nga kjo forcë politike.
”E kemi sqaruar pozicionin e zotit Basha. Ka zgjedhur vetë zoti Basha që të jetë jashtë PD. Ata që e zgjedhin me vullnetin e tyre deklarativ, unë besoj se kanë përcaktuar pozicionin e tyre. Në politikë nuk ka gjëra që ekzistojnë përgjithmonë, por ka gjëra që njeriu i ka në dorë ti vendosë vetë përgjithmonë. Zoti Basha ka vendosur vetë që përgjithmonë të largohet nga PD, të largohet nga demokratët. Është zgjedhja e tij dhe le të vazhdojë në rrugën e tij”, tha Boçi në A2 CNN.
Nga ana tjetër, i pyetur lidhur me zërat që tregojnë se ka negociata midis Berishës dhe Bashës për ta akomoduar këtë të fundit në listën e PD për zgjedhjet e 2025, Boçi e përjashtoi këtë mundësi. ”Ishin të gjitha kushtet dhe rrethanat që kushdo mund të regjistrohej si fraksion në PD. Nuk ka një iniciativë të tillë, ajo tashmë duhet të ishte dorëzuar sepse afrohet dhe afati zgjedhor, por unë nuk jam rixhit në përcaktimin tim sepse nuk u nisa nga qëndrimet e mia personale apo politike, por iu referova deklaratave të zotit Basha. Le të vazhdojë rrugën që ka vazhduar deri tani”.