Zgjedhjet në 2025, Veliaj: Duam që të fitojmë më shumë se gjysmën e mandatave se gjithë të tjerët e marrë sëbashku
Pas fushatës së parë të anëtarësimeve, Partia Socialiste do të vijojë me një fushatë të dytë jo vetëm për shtimin e radhëve të saj me të rinj dhe të reja, por dhe për zgjedhjet brenda partisë. Drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës Erion Veliaj deklaroi se pret që PS futet në zgjedhje me energji të mirë dhe pozitive.
“Të mërkurën ne do të kemi një Asamble të qarkut të Tiranës për të lënë detyrat e reja të asaj që do të quhet le të themi një ofensivë e dytë, ose një fushatë e dytë. Tashmë jo vetëm për të shtuar më shumë anëtarë të rinj, por për të bërë dhe zgjedhje në parti duke filluar nga ajo njësia më e vogël e organizatave deri tek të themi niveli i njësisë administrative për të pasur në lidership që është gati të hyjë në betejën e 2025, një betejë që dua që të jetë sa na përket ne pozitive, afirmuese, me energji të mirë”, tha ai.
Veliaj u shpreh se Tirana është i vetmi qark në vend që shtohet me 2 deputetë dhe përgjegjësia e fitores bie më e madhe këtu. “Së pari lidhet me ndryshime demokratike. Një parti që ka qenë e themeluar kryesisht me veteran të Luftës, qartazi nuk mund të jetë partie e veteranëve. Do të jetë dhe e veteranëve, edhe e studentëve, do të jetë dhe e atyre që janë rikthyer, do të jetë dhe e atyre që janë në emigracion. Në njëfarë mënyre duhet të mbajë ritmin. Është një mënyrë për të incentivuar që dhe në familjen tonë politike të kemi lindje të reja dhe të kemi njerëz që mbajnë përgjegjësi. Në gjithë territorin e qarkut të Tiranës që prodhon rreth 40 deputetë janë 1300 qendra votimi, do të thotë që janë 1300 skuadra. Kryetar dhe kryetare, pra janë 2600 veta që në mënyrë aktive drejtojë PS në terren. Tirana është I vetmi qark që çdo palë zgjedhjet shtohet me nga 2 deputetë. Edhe përgjegjësia për fitoren bie më e madhe në Tiranë. Ndaj dhe serioziteti me të cilin unë e kam marrë këtë detyrë është jashtëzakonisht shumë e lartë”, theksoi ai.
Drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme, PS nuk do të kërkojë vetëm fitoren e radhës, por dhe cilësinë e fitores. “Për ne që jemi 3 here fitues ka të bëjë dhe cilësia e fitores. Ne duam që të fitojmë më shumë se gjysmën e mandatave që do të na bënte absolutisht fitues më shumë se gjithë të tjerët e marrë sëbashku. Por unë besoj se dhe cilësia e fitores është e rëndësishme për të promovuar njerëz të rinj, për t’u siguruar që të gërshetojmë ata me përvetojnë me ata që mund të japin një energji dhe një implus. Gjykoj se ne duhet të bëjmë një fushatë pozitive. Kemi mundësi të sjellim risi në këtë fushatë me kosto të ulet, por me cilësi të lartë të komunikimit dhe të besimit me qytetarët”, shtoi më tej Veliaj.