Zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi/ Kandidatët shqiptarë thirrje qytetarëve: Dilni dhe votoni!
Sot qytetarët e Malit të Zi i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e parlamentit të ri.
Në orën 10:00 votoi kryetari i bashkisë së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili është kandidat për deputet në Listën Shqiptare
“Të nderuar qytetarë. Unë sapo përfundova obligimin qytetar, andaj Ju ftoj edhe juve të delni në votime!”, u shpreh ai pas votimit në rrjetet sociale.
Ndërkohë, Kryetari i Alternativës Shqiptare, kandidat i Listës Shqiptare në Tuz, Nikollë Camaj, pasi votoi tha: “Dilni e shfrytëzoni të drejtën e votës! Unë këtë të drejtë e realizova në ora 10! Kësaj radhe, vet i pesti, sepse e gjashta nuk ka të drejtë vote; akoma!”
Deri më tani kanë votuar 14.3% e zgjedhësve dhe në total të drejtën e votës e kanë 540.026 qytetarë. Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në Mal të Zi ka 1.217 qendra votimi. Këto janë zgjedhjet e 11-ta që nga hyrja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, kurse të pestat që nga rivendosja e pavarësisë. Po kështu në këto zgjedhje parlamentare marrin pjesë 11 lista zgjedhore, prej të cilave gjashtë koalicione dhe pesë parti politike. Pjesë e zgjedhjeve janë dhe partitë shqiptare, të cilat garojnë vetëm në dy koalicione, ndërsa partia e Gjukanoviç kërkon fitoren e njëmbëdhjetë pas 30 vitesh në pushtet.