Zgjedhjet për kryetar më 29 korrik, kërkesa e Bardhit drejtuar Kryesisë: Të mblidhet Këshilli Kombëtar
Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi i kërkon kryesisë të thërrasë Këshillin Kombëtar për t’i hapur rrugë zgjedhjes së Kryetarit dhe zbatimit të Statutit. Gazment Bardhi i kërkon kryesisë të mblidhet të mërkurën dhe të vendosë thirrjen e Këshillit, i cili ka kompetencë hapjen e procesit për zgjedhjen e kryetarit dhe miratimit të Komisionit Zgjedhor.
Në kërkesën e tij, Gazment Bardhi argumenton se do të informojë Këshillin mbi procesin sesi Statuti parashikon për certifikimin e anëtarësisë, ndërkohë që vendimi i fundit i Kryesisë ka parashikuar një procedurë që nuk njihet nga Statuti, duke marrë kompetencat e Këshillit Kombëtar, të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të kryesisë së degëve.
1-Kryesia ka shkelur statutin me vendimin për t’u dhënë kryetarëve të degëve dhe grupit të punës të drejtën për evidentimin apo përditësimin e anëtarësisë. Sipas statutit, këtë të drejtë e kanë vetëm Sekretari i Degës, Kryesia e Degës dhe Sekretari i Përgjithshëm.
2-Heqja e të drejtës së votës, siç thuhet në vendimin e kryesisë, nuk është kompetencë e kryetarit të degës, grupit të punës apo Komisionit Zgjedhor. Vendimi heq ketë të drejtë ekskluzive të përcaktuar në statut kryesisë së degës. Regjistri i degës përditësohet sipas rregullave që miratohen vetëm prej Sekretarit të Përgjithshëm.
3-Komisioni Zgjedhor funksionon vetëm pas miratimit nga Këshilli Kombëtar. Pa u miratuar komisioni nga Këshilli Kombëtar nuk mund të nisë procesi zgjedhor.