“Zgjedhorja”, edhe Rudina Hajdari firmos marrëveshjen: I dhamë mundësinë Shqipërisë të hapë negociatat

Mazhoranca dhe opozita kanë arritur dakordësinë për skemën e re të administratës zgedhore të propozuar nga BE.

Në këtë dakordësi kishte fillimisht një ngërç dhe ajo quhet Rudina Hajdari, ku burime nga mbledhja konfirmuan se ‘topi’ ishte në anën e saj, pasi ajo nuk po e firmoste dhe po e mbante pezull marrëveshjen për Reformën Zgjedhore.

Ndërsa pak minuta më vone ajo do binte dakord.

E shqetësuar që nuk u ndryshua sistemi zgjedhor për të shkuar drejt listave të hapura, por me një garanci nga ambasadorët që Shqipëria do shkojë drejt atij sistemi. Kështu u shpreh në përfundim të mbledhjes së Këshillit politik, deputetja Rudina Hajdari.

Ajo tha se sot nuk mund të votonte kundër integrimit të Shqipërisë në BE, prandaj dha dakordësinë e saj.

“Nuk ka qënë gjë e lehtë për mua. Që të quhej reformë duhet të kishte elementë të tjerë të shpreheshim për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ajo që mund të them sot është që minimalisht nëse do e bllokoja unë sot këtë marrëveshje do duket sikur nuk e dua rrugën drejt BE. Ajo që është e dukshme është fakti se opozita parlamentare ka qëndruar në parlament për t’ja shtruar rrugën Shqipërisë për reformat. Duhet të jemi vigjilentë se në Shqipëri nuk ka thjesht dëmtim të procesit të zgjedhjeve, por dëmtim të demokracisë.

Maxhoranca e ka kapur pushtetin, e trajton Shqipërinë si plackë. Shumë njerëz që e kanë parë kauzën atë të ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe hapjen e listave e dinë që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë këtij vendi. Në duhet t’i garantojmë shqiptarëve që kushdo që vjen pas Ramës të mos sillet si Rama. I kemi parë të njejtët aktorë që sillen në të njejtën mënyrë. Doja ta përfshinim edhe këtë pikë për sistem të hapur, lista të hapura si shumica e vendeve të BE.

Mora garanci nga ambasadorët se bisedimi për ndryshimin e sistemit do vazhdojë, për listat e hapura dhe ligjin e referendumeve si dhe vota e diasporës. Ne i dhamë sot garancinë Shqipërisë të hapë negociatat”,- tha Hajdari.

Administrata zgjedhore sipas dakordësisë së re të propozuar nga BE, do të përjashtojë administratën publike, komisionet mbeten siç janë kurse tek KQZ, kryetari vendoset me konsensus kurse nënkryetari nga opozita.

SHKARKO APP