Zgjedhorja, kusht për konferencën e parë
Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi i kujtoi deputetëve se zbatimi reformave është i panegociushëm në realizimin e ëndrrës Europiane. ”Kam mirëpritur marrëveshjen e 5 qershorit që zbaton rekomandimet OSBE-se dhe inkurajoj të gjitha palët që të mbajnë fokusin te këto reforma, përfshi 5 qershorin. Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare. Institucionet duhet të punojnë që të bëjnë të mundur që Shqipëria të ecë përpara drejt BE-së”,-tha ai.
Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama bëri këtë koment për ndryshimet e shumë debatuara të Kodit Zgjedhor dhe zgjedhjet e 25 prillit. ”Zgjedhjet janë një test. Përsa i përket reformës zgjedhore ne po analizojmë votën e Kuvendit. Për aq kohë sa koalicionet paszgjedhore, nuk ndalohen dhe nuk bëhen më të vështira me anë të këtyre reformave, atëherë ne mund ta shohim atë projektligj me një mendje të hapur por nuk mund të kufizojmë të drejtat e të zgjedhurve për të formuar koalicionet para dhe pas zgjedhjeve. Reformat e 5 qershorit ishin tejet të rëndësishme. Shpresoj që në bazë të asaj marrëveshjeje partitë të marrin pjesë në zgjedhje”,- theksoi Várhelyi.
Komisioneri shpjegoi paketën ekonomike të BE për Ballkanin. ”Kam sjellë lajme të mira për qytetarët. Duam të përforcojmë marrëdhënien me BE dhe e kemi shumë seriozisht politikën e zgjerimit. Kemi marrë dakordësi për çelje negociatash për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kalojmë tani në planin e tretë atë të ekonomisë që rajoni të kapë ritmin e BE. Kemi 9 miliard euro grante për këtë projekt madhor të dukshëm për të shtuar vendet e punës. Do të ndihmojmë Shqipërinë në ngritjen e dy hidrocentrale për të ndryshuar klimën e investimeve. Na duhet një ballkan me të rinj të kualifikuar për të ndaluar largimin e trurit”, nënvizoi më tej. Komisionari takoi edhe Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha.