Zgjerimi i Greqisë, diplomati: Shqipëria fsheh të vërtetën historike
Duket sikur në Mesdhe çështja e nxehtë e definimit të kufijve detarë ka arritur një pike kulmore. Greqia pas marrëveshjeve me Egjiptin dhe Italinë, kërkon diçka të tillë edhe me Shqipërinë dhe Turqinë.
Publicisti dhe diplomati Shaban Murati ka shkruar se Rusia ka krijuar shtetin e ri të Greqisë, një e vërtetë historike që fshihet. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai deklaron se historiografia zyrtare e Shqipërisë ka bërë tezë të saj përrallën ruse të “revolucionit grek”.
”Një e vërtetë e fshehur historike. Rusia me ndihmën e Anglisë dhe të Francës, është fabrikuesja kryesore e krijimit të shtetit të pavarur të Greqisë në vitet 20’-30’ të shekullit 19-të me gjysmën e territoreve shqiptare dhe me gjysmën e popullsisë shqiptare. Aksioni gjeopolitik i Rusisë u emërtua “revolucion grek” dhe “revolucioni grek” filloi në Odesë të Rusisë, jo në Athinë. Është e kuptueshme që autorët rusë, grekë, anglezë, etj. synojnë të mbajnë në këmbë mitin e diplomacisë së tyre për “revolucionin grek”. E habitshme është përse historiografia zyrtare e Shqipërisë ka bërë tezë të saj përrallën ruse të “revolucionit grek” dhe nuk e përmend kurrë dhe e fsheh të vërtetën historike se Rusia krijoi shtetin e ri të Greqisë”.