Zgjerimi i qeverisjes elektronike – Mbulimi optimal me internet broadband ngelet sfidë
Nisma më e re ligjore e Ministrisë së Financave, projektligji i fiskalizimit, shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike. Raportimi i shitjeve nga bizneset në sistemin e administratës tatimore do të bëhet në kohë reale, mbështetur në programe të posaçme dhe në një lidhje interneti. Por, zgjerimi i qeverisjes elektronike në shërbime gjithnjë e më të rëndësishme shtron problemin e të pasurit një mbulimi të plotë dhe optimal të popullsisë me internet me brez të gjerë. Me gjithë përmirësimet në dekadën e fundit, Shqipëria ngelet relativisht e prapambetur në këtë drejtim.
Në raportin vjetor të vitit 2018, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) konstaton se, megjithëse numri i pajtimtarëve me akses nga linjat fikse është në rritje të qëndrueshme, normat e penetrimit janë shumë më të ulëta se ne vendet e BE-së dhe të Rajonit. Në vitin 2018, norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjetet fikse ishte 50% për familje dhe 12.6% për numër banorësh. Gjithashtu, shpejtësia mesatare e aksesit në internet nga linjat fikse në Shqipëri është relativisht e ulët, në raport me mesataren botërore. Në fund të vitit të kaluar, rreth 62% e abonentëve kishin një shpejtësi lidhjeje në intervalin mes 4 dhe 10 Mbps.
Mbulimi me internet nga rrjetet e lëvizshme është më e lartë, por edhe këto rrjete nuk ofrojnë shërbim në zona ku interesi tregtar është i ulët. Madje, edhe në qytetet e mëdha mbulimi me internet broadband nuk është gjithnjë optimal dhe shpeshherë abonentët marrin vetëm shërbimin bazik 2G.
Të dhënat tregojnë se përmirësimi i cilësisë së shërbimit ngelet një sfidë për Shqipërinë. Në fund të muajit korrik, Greqia arriti të përfitonte një grant prej 300 milionë eurosh nga Bashkimi Europian për të shtrirë internetin e shpejtë në zonat ku mungon interesi nga operatorët privatë. Skema përfshin ndërtimin e një rrjeti që do të mundësojë internet me shpejtësi të paktën 100 Mbps (megabit për sekondë), që mund të rritet deri në 1 gbps në të ardhmen.
Shqipëria është shumë larg kryerjes së investimeve publike me të tilla përmasa në rrjetet e komunikimit. Deri tani, zhvillimi i rrjeteve i është besuar vetëm investimeve nga operatorë privatë. Por, rënia drastike e fitimeve, sidomos në tregun e shërbimeve celulare, i ka tkurrur investimet në këto rrjete dhe rrezikon t’i ulë akoma më shumë në ardhmen. Operatorët ankohen se çmimet e larta në tenderat e rinj për frekuenca mund të bëhen një barrierë e mëtejshme për zgjerimin e investimeve. Në tenderin për brezin 800 Mhz, të mbyllur në muajin shkurt të këtij viti, vetëm njëri nga operatorët celularë mori pjesë. AKEP e rihapi tenderin në fillim të muajit gusht, por çmimi minimal i kërkuar është i njëjtë me tenderin e parë, 7.44 milionë euro. Me këto kushte, do të jetë e vështirë që dy operatorët e tjerë të japin oferta. /SCAN