”Zgjidh Zanatin”, Manastirliu: 170 nxënës ikën nga gjimnazet për në shkollat profesionale
Fushata e komunikimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit “Zgjidh Zanatin”, ka vijuar në qytetin e Elbasanit. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu bashkë me kryetarin e Bashkisë Elbasan Gledian Llatja, deputetin dhe drejtuesin politik Damian Gjiknuri, kanë vijuar fushatën e komunikimit për promovimin dhe nxitjen e arsimit profesional me mësues, nxënës dhe prindër në shkollën 9-vjeçare “Jorgji Dilo” në Elbasan.
Manastirliu theksoi rëndësinë për orientimin drejt arsimit profesional dhe nevojave që vendi ka sot në drejtim të profesioneve që kërkon tregu i punës.
“Në këtë moment, Shqipëria ka nevojë për më shumë zanatçinj, për më shumë kapacitete apo burime njerëzore të orientuara drejt profesioneve, drejt zanatit. Ka zhvillime të rëndësishme në disa sektorë, sikurse është turizmi, nga ana tjetër kemi një zhvillim të infrastrukturës publike, kemi një zhvillim të teknologjisë dhe informacionit, inovacionit që kërkojnë profesionistë”,-tha ministrja Manastirliu.
Duke falenderuar të gjithë mësuesit për punën në këtë fushatë intesive komunikimi, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu u shpreh se transferimi i nxënësve drejt shkollave profesionale do të vijojë:
“Nga nisma që kemi ndëmarrë për transferimin e nxënësve të klasave të 10-ta brenda muajit dhjetor, në gjithë vendin më shumë se 170 nxënës të janë transferuar nga gjimnazet drejt arsimit profesional”,-tha ministrja Manastirliu.