“ZGJIDHJA”: PD-LSI të tërhiqen nga KQZ-ja
Partia ZGJIDHJA, e cila drejtohet nga Koço Kokëdhima, përmes një deklarate për shtyp u kërkon PD-së dhe LSI-së të tërheqin anëtarët e propozuar prej tyre në KQZ.
Deklarata e partisë ZGJIDHJA
PD dhe LSI vendosën që të mos dërgojnë në KQZ asnjë emër për Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), ndërsa PS-ja vijon e vetme betejën e humbur për të mbajtur zgjedhjet vendore më 30 qershor.
Partia ZGJIDHJA e përshëndet vendimin e PD-LSI dhe uron që refuzimi i zgjedhjeve me administratë partiake të jetë i sinqertë dhe përfundimtar. Kjo është nisja e një rruge të mbarë që qeverisë t’i mbetet në duar një proces zgjedhor të cilin ka ndërmend ta bëjë vetëm me Gjiknurët e saj.
ZGJIDHJA u kërkon PD-së dhe LSI-së të tërheqin anëtarët e propozuar prej tyre në KQZ.
Ato, më mirë vonë se kurrë, duhet t’i përgjigjen kauzës së Shqipërisë për depolitizimin e plotë të administratës zgjedhore dhe për të shembur këtë sistem të kalbur zgjedhor që përfaqëson një model unik antidemokratik në Europë. Kushtetuta dhe standardet e shoqërive të civilizuara kërkojnë barazi për të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhje. Të pastrohen përfundimisht zgjedhjet shqiptare nga vula e turpit dhe pandershmëritë. Le t’ia lëmë historisë kohën e errët kur numëruesit e komisionerët e PD dhe PS apo sekserët e LSI-së tranportonin, vidhnin, blinin, dhunonin dhe deformonin votat.
Partia ZGJIDHJA inkurajon dhe fton PD-në dhe LSI-në që t’i bashkohen sinqerisht projektit për të rikthyer Republikën e vërtetë dhe demokracinë në Shqipëri.
#ZgjidhjaPërShqipërinë
KOHA JONË SONDAZH

