ZGJIDHJA: Shqipëria nuk rindërtohet dot pa Europën
Partia ZGJIDHJA, e drejtuar nga Koço Kokëdhima, ka reaguar përmes një deklarate për shtyp dhe shkruan për zhvillimet e fundit, ku Komisioni Europian ka dhuroi 15 milionë euro për të rindërtuar ndërtesat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Partia ‘Zgjidhja’, duke e vlerësuar sërish ndihmën prej 15 milionë eurosh, e konsideron atë simbolike në raport me situatën dhe dëmin shumë të madh që ka pësuar Shqipëria. Arka e shtetit shqiptar është trokë. Kapacitetet e qeverisë sonë janë si mos më keq. Pa ndihmat domethënëse të KE-së dhe BE-së, Shqipëria nuk rindërtohet dot”, shkruhet në deklaratën e ZGJIDHJA-s.
Deklaratë shtypi e partisë “Zgjidhja”:
Shqipëria nuk rindërtohet dot pa Europën
Partia ‘Zgjidhja’ përshëndet vendimin e Komisionit Europian për të dhuruar 15 milionë euro si ndihmë në rindërtimin e mijëra ndërtesave të shembura, premtimin se do të zhvillohet edhe një konferencë e përbashkët donatorësh si dhe vizitën e Komisionerit për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, për të vlerësuar gjendjen e ndërtesave dhe të ndihmave që nevojiten për Shqipërinë.
Që nga qershori 1991, kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Ekonomik Europian, ndihma teknike dhe financiare për Shqipërinë ka qenë e vazhdueshme. Vetëm përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA) Shqipëria përfiton 649.4 milionë euro që shkojnë për disa sektorë prioritarë, si demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, mjedisi, konkurrenca dhe inovacioni, transporti, arsimi, punësimi, politikat sociale, bujqësia dhe zhvillimi rural etj..
Partia ‘Zgjidhja’, duke e vlerësuar sërish ndihmën prej 15 milionë eurosh, e konsideron atë simbolike në raport me situatën dhe dëmin shumë të madh që ka pësuar Shqipëria. Arka e shtetit shqiptar është trokë. Kapacitetet e qeverisë sonë janë si mos më keq. Pa ndihmat domethënëse të KE-së dhe BE-së, Shqipëria nuk rindërtohet dot. Partia ‘Zgjidhja’ mbështet vendimin e Komisionit Europian për të mbledhur sa më shpejt konferencën e donatorëve, sepse mijëra shqiptarë, të mbetur të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit, po përballen me kushte të rënda mbijetese në dimrin që sapo ka nisur. Shqiptarët e konsiderojnë veten pjesë të Europës së Bashkuar dhe pjesa më e mirë dhe më e aftë e tyre është integruar dhe kontribuon për Europën. Prandaj populli ynë e di dhe pret që Europa nuk do ta lërë vetëm në këto ditë shumë të vështira fatkeqësie.